BDI i ka bërë thirrje kryetarit të Qytetit të Shkupit që menjëherë ta largojë billbordin e vendosur për mirëseardhje dhe ta zëvendësojë me një tjetër që respekton plotësisht detyrimet ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe informon Tetovasot.

Sipas BDI-së, pavarësisht reagimeve të shumta të qytetarëve dhe opinionit publik, Qyteti i Shkupit po vazhdon të injorojë dygjuhësinë dhe karakterin multietnik të kryeqytetit. Nga partia vlerësojnë se përjashtimi i gjuhës shqipe nga një billbord zyrtar përbën jo vetëm shkelje të ligjit, por edhe një veprim që krijon ndjenjë përjashtimi dhe nxit tensione të panevojshme ndëretnike.

BDI thekson se nuk do të lejojë që respektimi i gjuhës shqipe të varet nga vullneti politik i një individi dhe njofton se do të iniciojë procedurë ligjore pranë institucioneve kompetente për të konstatuar dhe sanksionuar këtë shkelje.

Në të njëjtën kohë, partia i bën sërish thirrje kryetarit të Qytetit të Shkupit të veprojë me përgjegjësi, të respektojë ligjin dhe të mos krijojë ndarje, urrejtje apo tensione ndëretnike.

Në fund, BDI thekson se Shkupi u takon të gjithë qytetarëve të tij dhe se gjuha shqipe nuk është privilegj apo dekor, por një e drejtë e garantuar me ligj, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të billbordit që e cilëson si të paligjshëm.