Zjarret që kanë dalë jashtë kontrollit në Spanjë dhe Francë, kanë detyruar që më shumë se 200 mijë persona, teksa flakët po vazhdojnë të përhapen të shtunën pranë Madridit dhe Bordosë, teksa Parisi ka mobilizuar ushtrinë për të ndihmuar zjarrfikësit e mbingarkuar.
Hiri i zi dhe i dendur mbuloi tarracat e shtëpive në pjesën veriore të qendrës së Madridit, ndërsa banorët u detyruan t’i mbanin dritaret të mbyllura për shkak të erës së tymit nga vatrat e zjarrit.
Në Bordo, në jugperëndim të Francës, 3.500 persona që ishin larguar nga zonat përreth, shumë prej të cilave ishin të mbushura me pushues gjatë kulmit të sezonit veror, u strehuan në një kompleks tregtar në qytet.
Zjarret masive në dy shtetet kanë nisur dy-tri ditë më parë, teksa qindra zjarrfikës janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e tyre.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se zjarret në shtetin e tij kanë shkrumbuar pothuajse 98 mijë hektarë, shifër “rekord” – që është pothuajse dhjetë herë sa madhësia e Parisit.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, zjarret në perëndim të Madridit kanë djegur deri në 25.000 hektarë tokë.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima në mesin e popullatës civile, por dy zjarrfikës vdiqën më herët gjatë javës afër Bordosë, në Francë.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, vizitoi zonat e përfshira nga zjarri afër Madridit dhe tha se prioritet ishte “shpëtimi i jetës”, teksa paralajmëroi se një situatë e ndërlikuar i pret në vijim. Qeveria e tij ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka angazhuar 1.000 ushtarë për të ndihmuar zjarrfikësit pranë Bordosë, ndërsa Qeveria e tij urdhëroi të shtunën që një aeroplan transportues ushtarak A400M t’i bashkohet flotës së aeroplanëve më të vegjël që po luftojnë flakët.
A400M i modifikuar, i cili mund të lëshojë deri në 20 tonë lëndë për shuarjen e zjarrit, është pajisur me një sistem eksperimental që sapo ka përfunduar përgatitjet dhe testimet.
Spanja dhe Franca kanë kërkuar dhe kanë marrë ndihmë nga Bashkimi Evropian në formën e aeroplanëve që janë dërguar nga vendet anëtare.
Strehimore emergjente janë ngritur në shkolla dhe palestra në jugperëndim të Francës për turistët dhe banorët që janë evakuuar dhe nuk e dinë se çfarë do të gjejnë kur të kthehen.
Sipas ministrit të Brendshëm francez, Bruno Retailleau, të paktën 167.000 njerëz janë evakuuar në Francë si pasojë e zjarreve pyjore.
Në Spanjë, Ministria e Brendshme njoftoi të shtunën se më shumë se 45.000 persona janë evakuuar, ndërsa të paktën 20.000 të tjerëve u është kërkuar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre.
Zjarret në Spanjë dhe Francë janë përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve jashtëzakonisht të thata, që janë përkeqësuar nga valët e njëpasnjëshme të të nxehtit që të dy vendet kanë përjetuar që nga muaji maj.
Shkencëtarët thonë se ngrohja globale po zgjat periudhat e thatësirës dhe po bën që fenomenet ekstreme të motit të jenë më të ashpra dhe më të shpeshta. Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt si pasojë e ndryshimeve klimatike.
