Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se këtë vit në Maqedoni janë regjistruar 4 raste të malaries, 3 raste të dengut, 1 rast i Zikës dhe 8 raste të etheve të Nilit Perëndimor. Sipas tij, rastet e malaries dhe dengut janë të lidhura me udhëtime në Afrikë, Maldive dhe Zanzibar, ndërsa rasti i Zikës është regjistruar te një person që ka udhëtuar në Maldive. Klekovski u bëri thirrje qytetarëve që udhëtojnë në zona me rrezik të informohen paraprakisht dhe të ndjekin rekomandimet për vaksinim dhe mbrojtje. Për ethet e Nilit Perëndimor janë regjistruar 8 raste, ku njëri lidhet me udhëtimin në Greqi, ndërsa të tjerët dyshohet se janë infektuar në vend. Shumica e të prekurve janë persona të moshës 60–70 vjeç.
