Gazetare: Ilirida Sulejmani
Identifikimi i mbetjeve mortore të zbuluara në Zubin Potok në Kosovë do të marrë kohë. Autoritetet thonë se gërmimet dhe hetimet në terren janë duke vazhduar. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e vizitoi sot lokacionin në fshatin Kalludër i Vogël të komunës së Zubin Potokut dhe bëri thirrje të ruhet integriteti i hetimeve dhe të respektohen familjet e personave të zhdukur.
“Është konfirmuar që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim. Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve”, tha Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës.
Pas vizitës në vendin e gërmimeve, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj deklaroi se deri më tani është konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore, por theksoi se procesi i identifikimit është i ndërlikuar. Ai do të bëhet përmes analizave të ADN-së.
“Ky proces mund të zgjasë dhe nuk mund të themi se kur do të përfundojë. Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së. Mirëpo, paraprakisht duhet të rekonstruktohet trupi i njeriut e pastaj të dërgohet në Mjekësinë Ligjore, për të vazhduar më tej me procedurat e tjera”
Sipas dyshimeve të deritanishme, te zona ku do të bëhen gërmimet dyshohet se mund të gjendet një varrezë masive me trupat e shumë civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës. Rasti më i madh është ai i humbjes pa gjurmë të një grupi prej 23 burrash, që njihet si “Grupi i Intelektualëve”, shumica prej të cilëve nga Mitrovica. Ata u ndaluan më 19 prill nga forcat serbe në këtë zonë derisa po largoheshin në Malin e Zi, dhe më fati i tyre mbetet enigmë./Alsat.mk.
The post Konfirmohet se mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok janë me origjinë njerëzore appeared first on Alsat.
