“E kam të vështirë edhe të flas”. Fabio Capello nuk e përmban emocionin teksa kujton Franco Baresin, i cili u nda nga jeta sot në moshën 66-vjeçare. Të dy kanë ndarë momente të mëdha historie te Milani, kur Capello ishte trajner dhe Baresi futbollist: “Meriton një homazh të madh. Unë e pashë të debutonte kur ende isha vetë lojtar, më pas pata fatin ta stërvisja”.

Milani publikoi një mesazh shumë të bukur…
Një lojtar kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm nuk mund të kujtohet ndryshe veçse në mënyrën më të bukur të mundshme. Milano duhet ta përqafojë dhe ta falënderojë për atë që i ka dhënë Milanit dhe Italisë; për seriozitetin, përkushtimin, angazhimin. Ka qenë një shembull për të gjithë.

Si e kujtoni?
Një njeri i ndershëm dhe modest, cilësi të vështira për t’u gjetur te dikush me popullaritet si ai. Ishte një nga ata lojtarë që çdo trajner do të donte të kishte, jo vetëm për aftësinë teknike, por edhe forcën që u transmetonte të gjithë shokëve të skuadrës.

Këto cilësi e bënë kapiten vetëm në moshën 22-vjeçare…
Kur u zgjodh kapiten, ishte shumë i ri. Ishte një moment historik, sepse mori shiritin nga Rivera. E mbajti dhe e nderoi për shumë vite, duke bërë gjithçka ishte e mundur që Milani të arrinte rezultatet që arriti.

Pse ishte i rëndësishëm për të gjithë, për mënyrën se si sillej?
Kur lojtarët e huaj vinin në skuadër, te sjellja e tij serioze dhe e saktë gjenin menjëherë një pikë referimi.

Çfarë roli kishte Baresi në bashkimin e Milanit tuaj?
Ishte dirigjenti i orkestrës së mbrojtjes. Arrinte të udhëzonte mbrojtësit, mesfushorët, ishte regjisori i vërtetë i skuadrës. Ai u ka dhënë shumë tifozëve, por mbi të gjitha mua më ka ndihmuar shumë. Të kesh një lojtar me atë forcë dhe atë ekuilibër është diçka unike.

A e kuptonte lojën më mirë se të gjithë?
Sacchi i kishte mësuar një mënyrë të caktuar mbrojtjeje dhe kur erdha unë ndryshuam lëvizjet. Pavarësisht kësaj, ai u përshtat menjëherë. Për të ishte e rëndësishme të mos mbetej i ngurtësuar tek idetë e vjetra, por të ndryshonte sipas asaj që kërkonte trajneri i ri. Dhe arrinte t’ua transmetonte këtë edhe shokëve të skuadrës.

Thuhej se ishte një njeri me pak fjalë, por me shumë vepra…

Kjo ishte gjëja më e bukur; modestia e tij, pavarësisht se ishte kaq i famshëm. Nuk sillej me arrogancë, nuk e përdorte famën e tij për t’u imponuar. U transmetonte qetësi të gjithëve dhe dëshirën e tij për të mos u kënaqur kurrë me atë që kishte arritur…

Kujtimi juaj për Baresin si lojtar i Italisë?
Është kujtimi i një lojtari që edhe me fanellën e kaltër kishte të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin vendosmëri.

Luajti finalen pasi ishte operuar në menisk vetëm 20 ditë më pare; është një rekord, diçka unike. Për të dhimbja nuk ekzistonte, rëndësi kishte vetëm të nderonte fanellën dhe të ishte i pranishëm, sepse e dinte që vetëm me praninë e tij do t’i jepte diçka më shumë skuadrës. Fatkeqësisht ajo penallti shkoi jashtë dhe lotët e tij ishin dëshmia e dashurisë së madhe që ai kishte për kombëtaren.

Si do ta përshkruanit Baresin për dikë që nuk e ka parë kurrë të luajë?
Si një njeri që vazhdonte të stërvitej gjithmonë në maksimum për të arritur rezultatet dhe objektivat e tij. Ai na mësoi të përmirësohemi gjithmonë, na mësoi kulturën e punës. Sot humbasim një futbollist të madh, por mbi të gjitha një njeri të madh.

The post Capello kujton Baresin dhe emocionohet: “Ishte lojtari që çdo trajner do të donte të kishte” appeared first on Telesport.