Ministria e Shëndetësisë njofton se gjendja epidemiologjike në Gostivar po stabilizohet, ndërsa numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është në rënie. Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Përgjithshëm dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë kryer 36 kontrolle, ose 37 më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin regjistruar 73 pacientë.
Aktualisht, në spital janë të shtruar katër pacientë. Që nga fillimi i monitorimit janë kryer gjithsej 4.483 kontrolle të para, ndërsa institucioneve kompetente u janë dorëzuar 1.014 njoftime për sëmundje ngjitëse. Sipas Ministrisë, janë përpunuar edhe 706 anketa epidemiologjike, duke arritur një mbulim prej 70 për qind.
