Rezultatet e para të analizave për shkumën e bardhë të vërejtur në lumin Vardar, pranë derdhjes së lumit Lepenc, tregojnë se parametrat e ujit janë brenda kufijve të lejuar, njoftoi Ministria e Mjedisit Jetësor. Inspektorati Shtetëror për Mjedisin kreu kontrolle në subjektet industriale përreth zonës, por nuk konstatoi shkelje të kushteve ekologjike, përcjell TV21. Sipas raportit paraprak të ndërmarrjes “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, analizat fiziko-kimike të mostrave nuk kanë treguar tejkalime të vlerave kufitare për shkarkimin në ujërat sipërfaqësore. Megjithatë, për rezultate përfundimtare pritet raporti nga laboratori i akredituar, i cili duhet të dorëzohet më 4 gusht, pas së cilës institucionet do ta informojnë publikun për gjendjen e plotë të lumit Vardar.
