Gazetare: Fatlume Dervishi
Britania e Madhe po përballet me një nga periudhat më të thata dhe më të nxehta në historinë e saj moderne. Temperaturat këtë verë kanë kaluar disa herë mbi 35 gradë Celsius, ndërsa mungesa e reshjeve ka sjellë thatësirën më të gjatë dhe më të theksuar në Angli dhe Uells që nga fillimi i regjistrimeve meteorologjike.
Deri më 30 korrik në Angli kanë rënë vetëm 5.5 milimetra shi, më pak se gjysma e rekordit të mëparshëm të regjistruar në vitin 1911. Në më shumë se gjysmën e territorit anglez është shpallur gjendje thatësire, ndërsa kufizimet për përdorimin e ujit kanë prekur rreth 20 milionë banorë.
Parqet dhe hapësirat e gjelbra janë kthyer në sipërfaqe të verdha, ndërsa rezervat ujore po bien ndjeshëm. Vapa është veçanërisht e vështirë për britanikët, pasi kondicionerët janë ende të rrallë në banesa dhe në transportin publik.
Pasojat nuk janë vetëm mjedisore por edhe shëndetësore. Rreth 2 mijë e 800 vdekje të lidhura me temperaturat e larta janë regjistruar gjatë muajve maj dhe qershor, rreth dyfishi i shifrës së regjistruar gjatë gjithë vitit të kaluar.
Ndërkohë, vala e të nxehtit dhe thatësira në Britani janë pjesë e një krize më të gjerë që po prek Evropën. Zjarret masive në Francë, Spanjë dhe Greqi kanë shkaktuar dëme të mëdha në toka, banesa dhe biznese, me qindar mijëra njerëz të evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Për Bankën Qendrore Evropiane, kjo tashmë është edhe çështje ekonomike dhe financiare. Ata paralajmërojnë se dëmtimi i natyrës mund të godasë drejtpërdrejt bankat, kreditimin, rritjen ekonomike dhe inflacionin. Sipas tyre, ekonomia është shumë më e varur nga natyra sesa mendohet. Banka Qendrore Evropiane ka nisur të analizojë ndikimin e degradimit të ekosistemeve mbi sistemin bankar të eurozonës, ndërsa pritet të publikojë një analizë të posaçme më vonë gjatë këtij viti./Alsat.mk.
The post Britania e Madhe përballet me thatësirën dhe temperaturat më ekstreme të viteve të fundit appeared first on Alsat.
