Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se po punohet për një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme që do ta zhbllokojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar se po zhvillohen bisedime “nën radar”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai theksoi se dallimi mes kësaj Qeverie dhe qeverive të mëparshme është se nuk do të bëhen lëshime në çështjet që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën.
“Po punojmë për një zgjidhje, por jo me çdo kusht dhe jo për një zgjidhje që nuk do të ishte e qëndrueshme ose që do të krijonte rrezik që të gjendemi sërish në të njëjtën situatë. Qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse Qeveria ka vija të kuqe të qarta dhe çështje për të cilat nuk është e gatshme të negociojë”, tha Mucunski për MIA.
Ai shtoi se për këtë proces është i domosdoshëm një konsensus politik, por kritikoi opozitën për, siç u shpreh ai, gabimet e bëra në vitet 2021 dhe 2022.
Mucunski kujtoi se më 29 korrik 2021 në Kuvend ishte miratuar me konsensus një rezolutë për mbrojtjen e interesave kombëtare, por sipas tij, qeveria e atëhershme e BDI-së dhe LSDM-së e shkeli atë konsensus vetëm pak muaj më vonë.
“Pa asnjë dilemë nevojitet konsensus, por opozita fillimisht duhet ta pranojë realitetin dhe të kërkojë falje për gabimet e bëra gjatë shtatë viteve të qeverisjes, duke i dhënë mbështetje pa rezervë Qeverisë në politikën e jashtme”, deklaroi ai.
Lidhur me kritikat se vendi po ngec në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Mucunski tha se kjo çështje duhet parë në dy aspekte.
Sipas tij, në pjesën e reformave të brendshme vendi po përparon dhe kjo, siç tha ai, do të konfirmohet edhe në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian. Ai theksoi se BE-ja vlerëson orientimin strategjik të vendit, duke përmendur harmonizimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në, si dhe nënshkrimin e partneritetit për mbrojtje dhe siguri.
Megjithatë, Mucunski pranoi se sfida me Bullgarinë mbetet, duke e cilësuar atë si një problem të krijuar artificialisht.
“Edhe nëse kjo çështje zgjidhet, ne do të jemi kandidati më i përgatitur dhe jemi në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi ai.
