Më shumë se 17 mijë persona janë larguar nga Maqedonia e Veriut gjatë 24 orëve të fundit përmes pikave kufitare “Bogorodicë” dhe “Dojran” drejt Greqisë, ndërsa në të njëjtën periudhë në vend kanë hyrë rreth 16 mijë udhëtarë, tregojnë të dhënat më të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, gjatë ditës janë krijuar kolona të gjata në të dyja pikat kufitare, ndërsa më e madhe ka qenë pritja në “Dojran”, ku kolona e automjeteve është shtrirë përgjatë zonës së Dojranit të Vjetër.
Sipas të dhënave të MPB-së, në pikën kufitare “Bogorodicë”, nga dje deri sot në mesditë kanë hyrë në Maqedoninë e Veriut 5.864 shtetas të Maqedonisë, ndërsa kanë dalë 5.948. Në të njëjtën periudhë, në vend kanë hyrë 10.249 shtetas të huaj, ndërsa 11.648 kanë dalë.
Në pikën kufitare “Dojran” janë regjistruar 399 hyrje dhe 1.104 dalje të shtetasve të Maqedonisë. Sa u përket shtetasve të huaj, në vend kanë hyrë 1.295 persona, ndërsa janë larguar 1.174.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë angazhuar të gjitha kapacitetet e disponueshme njerëzore dhe teknike, me qëllim sigurimin e një qarkullimi më të shpejtë të udhëtarëve, duke respektuar njëkohësisht kontrollet e detyrueshme kufitare.
