Luka Modriç i ka idetë e qarta për sezonin e tij të dytë te Milani. Në shtator do të mbushë 41 vjeç dhe thekson se vazhdon të luajë vetëm për një arsye: “Kur erdha, thashë se doja të fitoja me Milanin dhe kjo mbetet ëndrra ime, qoftë titulli kampion apo një trofe tjetër. Nuk zgjodha të vija këtu vetëm për t’u argëtuar, pa dëshirën për të fituar”.

Mesfushori kroat u ndal edhe te ndarja nga jeta e Franco Baresit: “Ai mishëronte vlerat e Milanit. Ndoshta ishte legjenda më e madhe e klubit. Ishte një njeri shumë i përulur, një lider i madh që i udhëhiqte të gjithë me shembullin e tij. Është një humbje e madhe për të gjithë ne”.

Duke folur për të tashmen, Modriç u shpreh i kënaqur me drejtimin e klubit: “Më pëlqen ajo që po bën Milani. Shumë lojtarë kanë qëndruar, ndërsa afrimet e reja do të sjellin cilësi, do të na ndihmojnë me karakterin e tyre. Kam folur disa herë me Amorim gjatë verës dhe ndjesitë janë shumë pozitive”.

Duke folur për të ardhmen e Rafael Leaos, kroati u shpreh se do ta dëshironte vazhdimin e tij te Milani: “Nuk kam pse t’i jap këshilla. Ai është mjaftueshëm i pjekur për ta ditur se çfarë është më e mira për të. Tifozët dhe të gjithë në klub e duan shumë. Ndoshta nuk vjen pas një sezoni të madh, edhe për shkak të dëmtimeve, por mbetet një lojtar i jashtëzakonshëm. Nëse do të qëndronte, do të ishte fantastike për ne”.

Mesfushori veteran nuk i kurseu elozhet për portugezin: “Kur është në formën e tij më të mirë, ai është një nga futbollistët më të mirë në botë. Shpresoj të qëndrojë i shëndetshëm dhe të rikthehet në nivelin maksimal sezonin e ardhshëm. Do të doja ta shihja sërish me ne edhe sezonin e ardhshëm, por të shohim çfarë do të ndodhë. Klubi do të marrë vendimin dhe jam i bindur se do të bëjë zgjedhjen më të mirë”.

The post Modriç: Qëndrova te Milani për të fituar. Leao? Do të ishte fantastike nëse rri me ne appeared first on Telesport.