Dëshmi të reja kanë rikthyer vëmendjen te procesi për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Në Gjykatën e San Isidros dëshmoi Aníbal Martín Domínguez, ish-anëtar i shërbimit të sigurisë së legjendës argjentinase, i cili foli për ditët e fundit të jetës së “Pibe de Oro” në shtëpinë në Tigre, pas operacionit për hematomë subdurale.

“Diego ishte i fryrë dhe nuk ndihej mirë”, – deklaroi truproja, duke shtuar se e kishte vënë re disa herë këtë gjendje dhe ia kishte raportuar neurokirurgut Leopoldo Luque, një prej të akuzuarve kryesorë. – Nuk ishte Diego që njihja. Ai rrinte shumicën e kohës në dhomë, dilte rrallë dhe ishte shpesh nervoz”.

Domínguez tregoi edhe një episod pesë ditë para vdekjes së Maradonës. Më 20 nëntor 2020, Diego i kishte kërkuar: “Chori, të ikim”. Ata bënë një xhiro rreth 30-minutëshe me furgon. “Nuk kishim një destinacion. Diego thjesht donte të dilte nga shtëpia”, – rrëfeu ai. Procesi tani hyn në fazën vendimtare, ndërsa priten përfundimet e komisionit mjekësor për shtatë të akuzuarit.

The post Procesi për vdekjen e Maradonës, truproja: “Ishte i fryrë dhe donte vetëm të dilte jashtë” appeared first on Telesport.