Gazetar: Avni Tahiri

Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin dhe pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë u ka bërë thirrje punëdhënësve të ndërmarrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve.

Sindikata kërkon që punëdhënësit të respektojnë masat për sigurinë dhe shëndetin në punë, të reduktojnë ose të pezullojnë punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës, si dhe të sigurojnë të gjitha mjetet dhe kushtet e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
Në reagimin e saj, Lidhja e Sindikatave thekson se duhet të zbatohen rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, me kujdes të veçantë për punëtorët e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna.

“Është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse dhe të kujdesit gjatë temperaturave të larta, për të cilat tashmë ka publikuar rekomandime Instituti i Shëndetit Publik. Theksojmë se është veçanërisht e rëndësishme të zbatohen masat e duhura për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna që janë në marrëdhënie pune. Jeta dhe shëndeti i punëtorëve, në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta, kanë rëndësi të veçantë dhe të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë në mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve dhe qytetarëve, pasi ata janë shtylla kryesore e shoqërisë”, thanë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë

• Të respektohen masat mbrojtëse gjatë temperaturave të larta.
• Të mbrohen veçanërisht të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna.
• Shëndeti dhe siguria e punëtorëve duhet të jenë prioritet.

Gjithashtu, sindikata u rikujton punëtorëve se, nëse të drejtat e tyre nuk respektohen, ata mund ta raportojnë rastin te përfaqësuesit sindikalë, përfaqësuesit për siguri dhe shëndet në punë, Inspektorati Shtetëror i Punës ose te vetë Lidhja e Sindikatave.

Ndërkohë për shkak të temperaturave të larta, i gjithë territori i vendit, sot ndodhet në fazën portokalli për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë rajonin./Alsat.mk.

The post Temperaturat deri në 40 gradë, alarm për sigurinë e punëtorëve në terren appeared first on Alsat.