Të dhëna alarmante edhe këtë vit për numrin e zvogëluar të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Është shqetësuese e dhëna se deri tani janë regjistruar madje 4.900 nxënës më pak, edhe pse kjo shifër nuk është përfundimtare për shkak se regjistrimi në shkollat fillore ende vazhdon dhe pritet që të ketë 3.000 më pak.

Trendi i uljes së numrit të nxënësve të klasës së parë çdo vit është gjithnjë e më i theksuar. Kështu, në vitin shkollor 2023/2024 ishin regjistruar 19.848 nxënës të klasës së parë, ndërsa në vitin pasues 2024/2025 ky numër ishte më i ulët për pak më shumë se 400 fëmijë, me gjithsej 19.452 nxënës të regjistruar. Në vitin shkollor 2025/2026 shënohet një rënie edhe më e madhe, me 17.921 nxënës të regjistruar, përkatësisht 1.500 më pak. Ndërsa këtë vit shkollor 2026/2027 deri tani janë regjistruar 13.000 nxënës, shifër kjo që nuk është përfundimtare, por edhe parashikimi për 3.000 fëmijë më pak mbetet një e dhënë shumë shqetësuese.

NXËNËS TË REGJISTRUAR TË KLASËS SË PARË
2023/2024: 19.848 nxënës të regjistruar të klasës së parë
2024/2025: 19.452 nxënës të regjistruar të klasës së parë
2025/2026: 17.921 nxënës të regjistruar të klasës së parë
2026/2027: 13.000 – shifra nuk është përfundimtare

Koordinatori nacional për demografi, të rinj dhe burime njerëzore thotë se e gjithë kjo vjen si pasojë e rënies së natalitetit, por edhe emigrimit të të rinjve.

“Bëhet fjalë për një kombinim të të dyjave. Pra, ne përballemi me recesion demografik prej dekadash dhe dekadash, me rënie të natalitetit që zgjat fjalë për fjalë 75 vjet. Për shembull, në vitin 1950 në Maqedoni kishte 50 mijë foshnja të lindura, ndërsa në vitin 2024 kemi 16 mijë foshnja të lindura. Kur në familje kishte 4, 5, 6, 7 fëmijë, nëse njëri ose dy prej tyre shkonin për kurbet, të tjerët mbeteshin. Tani kemi një situatë ku familjet që kanë fëmijë, pothuajse gjysma kanë vetëm një fëmijë dhe nëse ai fëmijë largohet, shtëpia mbyllet”, tha Vllatko Gjorçev.

Por, cila është strategjia e Qeverisë për përmirësimin e kësaj gjendjeje, jo vetëm për natalitetin, por edhe për ndalimin e emigrimit të të rinjve?

“Strategjia është të kemi zhvillim më të fuqishëm ekonomik, ta zvogëlojmë emigrimin sa më shumë që mundemi, ndërkohë që brezave të rinj t’u shpjegojmë, t’u themi dhe t’ua dërgojmë mesazhin se përveç suksesit profesional, është e rëndësishme, e bukur dhe e mirë të krijohet familje”, tha Vllatko Gjorçev.

Për këto të dhëna në Facebook ka reaguar edhe profesori dhe ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski.

“Vetëm për një vit numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë është zvogëluar për 28 për qind. Sikur të ishte 2,89 për qind do të ishte e kuptueshme, por kështu Përveç kësaj, edhe 20-25 për qind e atyre që janë regjistruar do të largohen me prindërit e tyre para se ta përfundojnë arsimin fillor. Përgjysmim total i një gjenerate vetëm për një vit. Një shkatërrim të tillë nuk e kanë shkaktuar as epidemitë dhe luftërat më të mëdha. Ndoshta na pret një skenar shumë më i keq për të ardhmen sesa edhe më të këqijat që diskutohen”, tha Nikolla Popovski.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, me shqetësim foli se numri i fëmijëve në shkolla po zvogëlohet gjithnjë e më shumë, por ajo që është edhe më shqetësuese dhe dëshpëruese për vendin është se ky trend pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Ndryshe, sipas përllogaritjeve të Entit Shtetëror të Statistikave, nga viti 2018 deri në këtë vit, 2026, numri i fëmijëve të regjistruar në klasën e parë është zvogëluar për plot 19 për qind.