Nuk ka nevojë për masa të reja për frenimin e çmimeve të ushqimeve – shprehen kategorikë nga Ministria e Ekonomisë, pasi Enti Shtetëror i Statistikave publikoi të dhënën se inflacioni vjetor në korrik është 2,3 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa 0,1 për qind krahasuar me muajin paraprak.
Sipas këtij dikasteri, rritja e kostos së jetesës në korrik kryesisht vjen nga lëvizjet sezonale, para së gjithash te transporti, ku është regjistruar rritje prej 4,4 për qind, si dhe te rekreacioni, sporti dhe kultura, të cilat tradicionalisht, sipas tyre, kanë konsum më të lartë gjatë periudhës së verës.
Nga Ekonomia janë të prerë se situata po monitorohet, inspektorët e tregut janë në terren dhe nëse shfaqen goditje të reja të pajustifikuara të çmimeve apo çrregullime në treg, do të reagojnë në kohë.
Edhe për ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, një tjetër sinjal inkurajues për zhvillimet pozitive në ekonomi është fakti se inflacioni ka vazhduar trendin e uljes dhe në korrik është 2,3 për qind.
Dje kryeministri theksoi se fuqia blerëse në Maqedoni është më e madhe se në shumë vende evropiane dhe në të gjitha vendet e rajonit. Më herët edhe guvernatori Sllaveski deklaroi se vlera e pagës minimale bruto në Maqedoni, e matur sipas fuqisë blerëse në korrik 2026, është më e madhe se në shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.
