Një 19-vjeçar ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi sot në Komunën e Butelit, në Shkup.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti është denoncuar në orën 12:12 dhe ka ndodhur në rrugën “Radishanska”.

Në aksident janë përfshirë një automjet “Alfa Romeo” me targa italiane, i drejtuar nga S.B. (46), dhe një motoçikletë pa targa regjistrimi, e drejtuar nga N.M. (19), nga rrethina e Shkupit.

Nga MPB njoftojnë se 19-vjeçari, drejtues i motoçikletës, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Ekipet policore ndodhen ende në terren dhe po kryejnë ekspertizën, ndërsa komunikacioni në këtë pjesë të qytetit po zhvillohet me vështirësi.