Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani kanë nënshkruar një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë, i cili parashikon se një sulm ndaj njërës prej tyre do të konsiderohet si sulm ndaj të trija vendeve.

Marrëveshja mes këtyre tre aleatëve të Shteteve të Bashkuara vjen në një kohë kur Arabia Saudite përballet me kërcënime në disa fronte dhe e detyron secilin shtet të ndërhyjë në rast se njëri prej tyre sulmohet, ngjashëm me parimin e mbrojtjes kolektive të vendeve anëtare të NATO-s.

Sipas deklaratës së përbashkët, pakti synon “të forcojë parandalimin kolektiv ndaj çdo akti agresioni” dhe “parashikon gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet e mbrojtjes ndërmjet tre shteteve”.

Marrëveshja u nënshkrua në Mekë, qytetin më të shenjtë të myslimanëve dhe vendlindjen e Profetit Muhamed, duke i dhënë asaj një simbolikë të fortë politike dhe fetare, raportoi CNN. 

Përveçse strehon vendet më të shenjta të Islamit, Arabia Saudite është një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Ndërkaq, Pakistani është i vetmi shtet me shumicë myslimane që zotëron armë bërthamore.

Nënshkrimi i marrëveshjes erdhi pas një takimi mes kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan, princit të kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif.

Deklarata thekson se marrëveshja “udhëhiqet nga lidhjet e gjata historike ndërmjet tre shteteve, të bazuara në vëllazërinë e qëndrueshme dhe solidaritetin islamik që i bashkon ato, si edhe mbi interesat e tyre të përbashkëta strategjike dhe bashkëpunimin afatgjatë në fushën e mbrojtjes”.