Bordi i Paqes i Donald Trumpit, i krijuar në janar për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës, më në fund ka lëshuar kontratën e tij të parë të ndërtimit në territorin e shkatërruar: një projekt për ndërtimin e një baze ushtarake me kapacitet për 150 persona, e cila do të strehojë trupa marokene, ka bërë të ditur për The Guardian një burim i njohur me çështjen.
Kontrata, e cila ende nuk është finalizuar, i është dhënë kompanisë Arkel International, me seli në Luiziana, e cila më parë ka realizuar projekte për qeverinë amerikane në vende si Iraku.
Bordi i Paqes kryesohet nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe drejtohet nga një ekip ku bëjnë pjesë dhëndri i tij, Jared Kushner, si dhe miku i tij, Steve Witkoff.
Në një email, një zyrtar i Bordit të Paqes ka thënë se bordi dhe një grup teknokratësh palestinezë, të vendosur për të mbikëqyrur Gazën, janë në fazat përfundimtare të përgatitjes së disa kontratave dhe se asnjëra prej tyre nuk është finalizuar Ky grup palestinez njihet si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.
Zyrtari ka shtuar se “një nga kontratat e mundshme ka të bëjë me ndërtimin e objekteve për të mbështetur Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila do të ndihmojë në zbatimin e planit për sigurinë dhe qeverisjen”.
“Kjo kontratë do të jetë njëra prej shumë kontratave që janë thelbësore për të ardhmen e Gazës”, është shprehur ai.
Dhënia e kontratës vjen vetëm pak ditë pasi Trump njoftoi se Hamasi kishte pranuar të çarmatoset, megjithëse mbeten shumë pikëpyetje se si grupi do të dorëzojë armët. Izraeli e ka kundërshtuar këtë plan dhe ka intensifikuar sulmet ajrore në Gazë pas njoftimit të Trumpit.
The Guardian ka raportuar në korrik se plani fillestar i bordit për rindërtimin e Gazës ishte tkurrur ndjeshëm, duke kaluar nga një projekt ambicioz për rindërtimin e të gjithë territorit në një projekt pilot shumë më të vogël në jug të Rripit të Gazës.
Ndërkohë, sipas burimit, baza që po planifikohet tani do të ketë përmasa vetëm 100 me 120 metra dhe synon të strehojë një kontingjent trupash marokene, të cilat do të zëvendësohen me rotacion nga një bazë në Izrael.
Burimi ka shtuar se baza do të jetë rreth 1.6 kilometra larg kufirit me Izraelin dhe do të ketë një rrugë të shpejtë evakuimi, në rast se kontingjenti i vogël do të sulmohej.
Vizioni fillestar madhështor i Donald Trumpit për një Gazë të rindërtuar u prezantua nga vetë presidenti në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos më 22 janar.
Rezoluta e OKB-së që autorizoi krijimin e Bordit të Paqes parashikonte ngritjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën. Ka pasur raportime të ndryshme lidhur me vendin që do të sigurojë këto trupa. Maroku ka premtuar një kontingjent të vogël, por kuadri ligjor për ISF-në ende nuk është finalizuar dhe nuk dihet se kur do të fillojë dislokimi i saj.
