Zinxhiri i njohur i marketeve në Maqedoninë e Veriut, “Tinex”, ka kaluar në pronësi të kompanisë kosovare “Interex”, pjesë e grupit të udhëhequr nga familja Mikullovci nga Vushtrria.

Sipas informacioneve të bëra të ditura nga gazetari Zoran Bozhinovski, marrëveshja për shitblerjen e aksioneve është arritur pas negociatave intensive, ndërsa vlerësohet se vlera e transaksionit kap shifrën e 90 milionë eurove, përcjell INA.

Me këtë marrëveshje, “Interex”, që tashmë operon me një rrjet të gjerë mega-marketeve në Kosovë dhe rajon, zgjeron ndjeshëm praninë e tij në tregun e Maqedonisë së Veriut përmes marrjes së portofolit të “Tinex”.

Ndërkohë, nga struktura e deritanishme pronësore e “Tinex”, nën pronësinë e familjes Todoroviq, raportohet se disa prej aseteve tjera tregtare dhe afariste do të mbeten jashtë këtij transaksioni, duke përfshirë komplekse të caktuara tregtare në Shkup.

Deri më tani, menaxhmenti i dy kompanive pritet të dalë me një njoftim zyrtar për detajet e transaksionit dhe hapat e ardhshëm lidhur me funksionimin e mëtejshëm të marketeve dhe sigurinë e vendeve të punës për qindra punonjës të këtij rrjeti.(INA)