Gjatë dokumentarit kushtuar jetës së tij, José Mourinho rikthehet te një moment i vitit 2013, kur mund të merrte drejtimin e Manchester United: “Shkova te Chelsea në vitin 2013, por në atë periudhë ndodhi diçka që askush nuk e dinte. Mendoj se mund ta them tani, sepse nuk i bëj keq askujt me të vërtetën. Dhe mendoj se qëllimi i kësaj pune që po bëjmë është pikërisht të themi të vërtetën. Kur u largova nga Real Madridi, firmosa me Manchester United për të zëvendësuar Sir Alex”.

Atëherë, çfarë e prishi gjithçka? “Kur them se Real Madridi është klubi më i madh në botë, duhet të pranoj se Manchester United është shumë, shumë pranë tij. Por një gjë është dashuria për futbollin dhe tjetër gjë është dashuria për një skuadër të caktuar. Besoj se kjo është më e fuqishme se dashuria për futbollin dhe, në thelb, pas eksperiencës te Real Madridi, kisha nevojë të ndihesha i dashur”.

Vetë Ferguson e konfirmoi gjithçka: “Jose më telefonoi në mbrëmje, duke qarë dhe më tha: Alex, nuk mundem më, i kam dhënë fjalën Chelsea dhe nuk kam ndërmend ta shkel premtimin tim. Arsyeja që më dha ishte e kuptueshme për mua, por mbeta i zhgënjyer”.

Manchester United vendosi kështu ta orientonte zgjedhjen drejt David Moyes dhe sezoni, pas fitores iluzionare të “Community Shield”, do të rezultonte një fiasko. Trajneri skocez u shkarkua 4 ndeshje para fundit të sezonit dhe “Djajtë e Kuq” nuk arritën të kualifikoheshin në asnjë kompeticion europian.

Më pas erdhi një periudhë dyvjeçare me Louis van Gaal dhe në vitin 2016, më në fund, mbërriti pikërisht José Mourinho. Me “Special One”, Manchester United fitoi “Europa League”, Kupën e Ligës dhe “Community Shield” në sezonin e parë, por në mesin e sezonit të tretë Mourinho u shkarkua.

 

The post Prapaskena e Mourinhos: Më 2013 isha gati të zëvendësoja Sir Alex Ferguson te Manchester United… appeared first on Telesport.