Kjo javë mund të jetë vendimtare për Julian Alvarez, raportojnë sot mediat në Spanjë. Sulmuesi argjentinas rikthehet sot në stërvitje me Atlético Madridin, por dëshira e tij për t’u larguar nga “Colchoneros” tashmë është e qartë. Barcelona po shtyn për transferimin e lojtarit dhe ka paraqitur një ofertë të parë, e cila është refuzuar nga klubi madrilen.
Diego Simeone është shprehur tashmë për situatën: “Situata është shumë e qartë, klubi ka marrë një vendim. Jemi shumë të kënaqur me Julian dhe, nga pikëpamja sportive, do ta ndihmojmë të vazhdojë rrugëtimin e tij të rritjes”.
Ka shumë gjasa që trajneri dhe lojtari të bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme, pasi skuadra po rikthehet nga Koreja e Jugut. Po aq e mundshme është që sulmuesi t’i përsërisë Simeones dëshirën për t’u larguar.
I lindur në vitin 2000, Julian Alvarez iu bashkua Atlético Madridit në verën 2024, pasi u ble nga Manchester City për 75 milionë euro. Në dy sezonet me fanellën kuqezi, argjentinasi ka shënuar 49 gola në të gjitha kompeticionet.
The post Julian Alvarez, nis java e së vërtetës. Argjentinasi rikthehet në stërvitje me Atlético Madridin appeared first on Telesport.
