Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin e përbashkët ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka refuzuar kërkesën për lirimin e Thaçit dhe ka vendosur vazhdimin e paraburgimit të tij. Ky është vendimi i 27-të për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-presidentit. Në vendimin e datës 10 gusht, Trupi Gjykues ka vlerësuar se aktualisht nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë në rast se do të lirohej.

Megjithatë, gjyqtarët kanë konstatuar se vazhdon të ekzistojë një rrezik i mjaftueshëm që ai të mund të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara apo të ndikojë te dëshmitarët. Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është duke u zhvilluar në Hagë që nga viti 2023. Prokuroria i akuzon ata për një sërë veprash penale që pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ndërsa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

The post Thaçi nuk lirohet, Gjykata vazhdon paraburgimin appeared first on Alsat.