Pothuajse të gjitha partitë në Kosovë kanë refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës Presidente Albulena Haxhiu për një takim liderësh rreth krijimit të institucioneve. PDK-ja ka ftuar sërish sot kryesuesin e seancës konstituive Avni Deharin të thirrë vazhdimin e seancës. Dehari tha se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet të evitohet, sipas tij.
“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit.” – Avni Dehari, LVV, Kryesues i seancës konstituive.
“Një javë jashtë afatit kushtetues, për herë të parë në Kosovë suspendohet Kushtetuta dhe Kuvendi, me vetëdije për agjendën personale të një njeriu. Albin Kurti përmes Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstitutive, sipas moshës – jo me ndonjë funksion tjetër – po e mban të suspenduar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Moskonstituimi i Kuvendit nuk do të thotë vetëm mohim i ushtrimit të rolit të deputetit, por edhe mohim i zërit të qytetarëve apo kërkesave dhe nevojave të tyre. Ndërkohë që Albin Kurti po merret me kalkulimet e tij, qytetarët po e paguajnë çmimin… Thirre seancën. Mos ik. Mos u fsheh pas Avni Deharit.” – Uran Ismaili, PDK.
The post Kosovë, partitë refuzojnë takimin e Kurtit dhe Haxhiut appeared first on Alsat.
