Në Gostivar uji u lëshua në përdorim, por një fshat i kësaj komune po përballet me mungesë të theksuar të ujit të pijshëm. Rreth 90% e Debreshit nuk ka ujë për pije që nga fillimi i vitit, pohojnë nga shoqata e fshatit, që funksionon edhe si bashkësi lokale. Sipas Berat Saliut, 10%shi që ka ujë furnizohet nga mali, por ky ujë nuk mund të pihet!

“Tani është ujë që vjen nga mali dhe se çfarë burimesh e çfarë uji futet në atë bazen, nuk e di. Kështu që ne nuk e furnizojmë dhe për fat kemi pasur edhe pasojave nga kjo pandemi që ndodhi. Megjithatë, pjesa tjetër ku janë 90% e fshatit furnizohet nga qyteti, ku janë dy rrjete kryesore: njëra që vjen nga rruga magjistrale dhe tjetra që i thoshim ne rruga e Izdunjës që vjen prej lart”, deklaroi Berat Saliu, Shoqata “Debreshi”.

Ata paralajmërojnë se nëse autoritetet komunale nuk marrin masa emergjente, do të vijojnë protestat duke bllokuar rrugët kryesore dhe institucionet.

“Nëse nuk merret parasysh situata e Debreshit me gjithë këtë që ndodhi, nëse nuk e marrin me seriozitet punën tonë, që ne nuk kemi akoma ujë të pijshëm apo ujë teknik siç e quajnë ata, protestat do të jenë më masovike. Domethënë do të ketë edhe bllokim të rrugëve kryesore magjistrale, autostradë, por edhe ndoshta institucioneve tjera që udhëheqin me Komunën e Gostivarit”, deklaroi Berat Saliu, Shoqata “Debreshi”.

Banorët tregojnë për t’u furnizuar me ujë detyrohen të udhëtojnë drejt fshatrave fqinje ose të paguajnë me mijëra denarë për ujë me cisternë.

-Këtu u bë pusto. Këtë katund e kanë lënë katastrofë. Domethënë prej muajit të gjashtë deri sot ne në këtë gjendje jemi. Kemi vendosur bure, shkojmë mbushim, presim me cisterne, na kanë sjellë një ujë me cisternë na bien. Kështu që vetë me traktorë, me bure, paguajmë këto që na bien nga 25 euro bure.“

-Unë mendoj se s’kam ujë pije nga janari. Ja që tre muaj s’ka ardhur asnjë orë, asnjë sekondë. A thonë se ujin e lëshojmë. Ujë s’kemi fare, ujë mbajmë me bure, non-stop me bure mbajmë.

-Me mbush shkoj te kopshti e mbush. Mbushim që të kemi me pompë, me gjëra me të gjitha. Për të pirë mbushim Vrapçisht.

Më 19 qershor banorët e fshatit Debreshit protestuan para Komunës së Gostivarit me kova të zbrazëta dhe thirrje për ujë, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për mungesën e ujit të pijshëm dhe duke paralajmëruar protesta të reja; gjatë protestës u thye edhe një xham i hyrjes së objektit komunal, ndërsa situata më pas u qetësua.

Nga Komuna e Gostivarit atë ditë thanë se problemi i furnizimit me ujë në një pjesë të fshatit zgjat prej dekadash dhe njoftuan se kanë nisur punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit dhe sanimin e burimit mbi fshat, me qëllim rritjen e kapacitetit dhe sigurimin e një zgjidhjeje afatgjatë.