Opozitaret BDI dhe Lidhja Shqiptare kanë reaguar ndaj ministres së Arsimit Vesna Janevska, duke e akuzuar se po tenton të anashkalojë Badenterin në ligjet për arsimin dhe se politikat e saj po dëmtojnë arsimin në gjuhën shqipe, ndërsa kërkojnë respektimin e garancive kushtetuese dhe të drejtave të shqiptarëve. Integristët akuzon ministren Vesna Janevska për sulm ndaj Badenterit dhe Marrëveshjes së Ohrit, duke kërkuar që ajo të kërkojë falje dhe të publikojë tërheqjen e deklaratës.

“Janevska e quan Badenterin “mjet”. Kërkon që ai të mos zbatohet aty ku ajo dhe Qeveria mendojnë se “nuk duhet”. Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë. Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin. Zbatimi i Badenterit nuk varet nga vlerësimi personal i Janevskës nëse një ligj i caktuar i prek shqiptarët”, thonë nga BDI.

Sipas BDI-së edhe poshtëruese është se në deklaratë, në kontekstin e bllokadës nga deputetët shqiptarë, ministrja flet për shqiptarët si për një “komunitet të vogël”, ndërsa kritikojnë partinë shqiptare në Qeveri VLEN se nuk po i mbron shqiptarët.  Nga ana tjetër, Lidhja Shqiptare, thonë se vendimet kokë me vete dhe deklaratat e Janevskës dëshmojnë qartë hovin e Qeverisë aktuale kundër arsimit në gjuhën shqipe.

“Këto veprime nuk çojnë askund tjetër vetëm se në vitet e 90-ta kur pushteti njëjtë ndalonte ndërsa shqiptarët kërkonin shkolla shqipe, fakultetin pedagogjik dhe universitetin në gjuhën amtare, për çka kemi edhe dëshmorë! E gjithë kjo po ndodh me aminin, heshtjen dhe vasalitetin e të përzgjedhurve shqiptarë të Mickoskit në Qeveri”, thonë nga LSH.

Përndryshe, më 6 gusht, duke folur për tre ligjet e arsimit të lartë që janë në procedurë parlamentare, e që janë bllokuar nga partitë opozitare shqiptare të cilat këmbëngulin që gjatë miratimit të zbatohet parimi i Badenterit, ministrja Janevska tha se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike. Në një intervistë për MIA-n, më 14 gusht, Janevska tha se “beson se arsyeja do të mbizotërojë dhe se Kuvendi do të gjejë forca për t’i tejkaluar çështjet politike, përkatësisht që këto tri ligje të mos përdoren për zgjidhjen e ndonjë çështjeje tjetër”.