Autori i dyshuar i vrasjes së një 20-vjeçari francez në Ksamil është kapur dhe arrestuar rreth pesë orë pas ngjarjes, përcjell TV21. Sipas Policisë së Shqipërisë, shtetasi S. V., 29 vjeç, i dyshuar për vrasjen e Miguel Mendes, u kap në aksin rrugor “Levan-Fier”. I dyshuari ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke. Në automjet ndodhej edhe një 38-vjeçar, po ashtu shtetas turk. Të tre personat u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale. 20-vjeçari francez u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15 të mëngjesit, i shtrirë në një shezlon në plazhin e Ksamilit. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se ai është goditur me thikë.
“Kapet dhe vihet në pranga, pas 5 orësh nga vrasja, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit, në Ksamil. Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”. Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk. Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thonë nga Policia e Shqipërisë.
