Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski njoftoi sot se në komunat ku ka numër më të lartë të të infektuarve nga Ethet e Nilit Perëndimor po bëhen kontrolle të shtuara dhe po informohet popullata, sidomos personat mbi 60 vjeç për rëndësinë e mbrojtjes nga pickimi i mushkonjave.
“Spërkatja është e rëndësishme, por nuk është vetëm ajo e rëndësishme. Masat personale janë gjithashtu të rëndësishme dhe për atë, dje filluam me informim të targetuar të qytetarëve mbi 60-vjeç në katër komunat ku është shpallur epidemia. Domethënë prej dje, filluam nga Petroveci nëpërmjet Gazi Babës, janë dërguar 6.526 mesazhe sms dhe do të dërgohen edhe mbi 31 mijë mesazhe në këto komuna të targetuara. Në mesazhe ka link me udhëzim për mbrojtje personale dhe deri tani, sipas informatave 70% e qytetarëve e kanë hapur linkun”. – Ministër i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Autoritetet rekomandojnë që të mos lejohet grumbullimi i ujit në oborre dhe të pastrohen rregullisht ulluqet, të vendosen rrjeta mbrojtëse në dritare, të shmanget qëndrimi jashtë gjatë agimit dhe muzgut si dhe të përdoren preparate kundër mushkonjave. Në rast të shfaqjes së simptomave si temperaturë e lartë, dhimbje koke apo ngurtësi e qafës apelohen qytetarët që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë.
The post Alarm për Ethet e Nilit, autoritetet informojnë qytetarët me SMS appeared first on Alsat.
