Zjarri në zonën e Dukatit në Vlorë po merr përmasa të frikshme, ndërsa flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi në drejtim të Majës së Çikës. Era e fortë që përfshin zonën ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke e vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse në terrenin e thyer malor. Situata mbetet problematike, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për të frenuar avancimin e zjarrit dhe për të shmangur përhapjen e tij në sipërfaqe të tjera.

Një situatë e rënduar me zjarret u raportua edhe në Pukë, ku flakët po përparojnë nga fshati Gojan i Madh drejt fshatit Gojan i Vogël, duke iu afruar banesave. Banorët e kësaj zone kanë punuar gjatë gjithë natës me fadroma dhe mjete të tjera për të frenuar përhapjen e flakëve. Megjithatë, situata vijon të jetë kritike.

Fshati Gojan i Vogël ndodhet mes dy vatrave të zjarrit, të cilat po afrohen me banesat. Gjendja raportohet aq e rënduar sa banorët nuk po përgjigjen më në telefon, ndërsa përpjekjet për të mbrojtur banesat vijojnë. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave dhe është kryer evakuimi i banorëve. Operacioni është mbështetur edhe nga 40 efektivë dhe 3 helikopterë të FA-së.

Një vatër tjetër active është në Mal Milot, Kurbin, por rreziku për banesat është eliminuar për momentin. Në terren janë forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me forca dhe mjete të FA-së.

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 1 në monitorim. Ndërkohë, në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. /Alsat.mk

The post Shqipëria në luftë me zjarret, 235 forca në terren appeared first on Alsat.