Gazetar: Suad Bajrami

Një 74-vjeçar nga Komuna e Aerodromit të Shkupit është shënuar viktima e pestë në Maqedoninë e Veriut nga virusi i Etheve të Nilit Perëndimor, i cili më së shpeshti shpërndahet nga mushkonja. Drejtori i Klinikës Infektive Fadil Cana tha se pacienti ka pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.

“Bëhet fjalë për pacient në moshë të shtyrë 73-vjeçare, pasqyrë të rëndë klinike dhe mjaftë sëmundje tjera serioze shoqëruese, të cilat kanë kontribuuar për rrjedhë të rëndë dhe epilog të pafavorshëm…. Pacienti është në Klinikë 22 ditë, prej fillimit të pranimit ka qenë në gjendje të rëndë dhe ishte vendosur në repartin për kujdes intensiv dhe ishte në mbështetje respiratore apo ventilim mekanik”, deklaroi Fadil Cana, Drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive Shkup.

Ndërkohë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup aktualisht janë të shtrirë 21 pacientë, prej të cilëve 4 në gjendje të rëndë.

“Në Klinikë janë të hospitalizuar momentalisht 21 pacientë, nga të cilët 18 pacientë janë me infeksion të konfirmuar të formës neuroinvazive të Etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa 3 janë me diagnozë klinike, pra llogariten si suspekt. Nga të tjerët, në gjendje të përgjithshme të rëndë janë edhe 4 pacientë tjerë, të cilët trajtohen në repartin për kujdes intensiv, ndërsa pacientët e tjerë janë në repartin për neuro-infeksion”, theksoi Fadil Cana, Drejtor i Klinikës së Sëmundjeve Infektive Shkup.

Gjendja me virusin e Etheve të Nilit vazhdon të jetë alarmante, ndërsa sipas të dhënave që dje i publikoi Ministria e Shëndetësisë, deri në tërë Maqedoninë ka 43 raste, shumica e të cilëve janë nga komunat e Shkupit. Është me rëndësi të theksohet që këto 43 raste janë të formës së inflacionit të trurit që trajtohet me shtrim në spital, dhe këto përbëjnë vetëm një përqind nga numri i përgjithshëm i të infektuarve. Autoritetet u kanë bërë thirrje komunave që të intensifikojnë masat, sidomos spërkatjen kundër mushkonjave, ndërsa qytetarët të shtojnë kujdesin – të mos frekuentojnë gjatë orëve të mbrëmjes, të përdorin preparate për mbrojtje nga pickimi i mushkonjave, ndërsa denoncojnë raste të ngordhjes së shpezëve të egra./Alsat.mk.

The post Ka shkuar në 5 numri i të vdekurve nga Ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut appeared first on Alsat.