Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkon që urgjentisht të vihet në funksion PET-Qendra, duke akuzuar autoritetet se mosfunksionimi i saj po rrezikon pacientët me kancer.

Filipçe tha se qendra ka punuar vetëm një ditë dhe më pas sërish ka dalë jashtë funksionit. Sipas tij, PET-incizimi është vendimtar për përcaktimin dhe ndryshimin e terapisë te pacientët onkologjikë.

“U incizuan rreth 10 pacientë. Rreth 15 pacientë në ditë të cilët janë në gjendje të rëndë, të cilët kanë kancer, të cilëve jeta u varet nga ai incizim, i cili ua përcakton terapinë. Dy muaj nuk punon.

Urgjentisht të rregullohet ky problem. Që nesër PET-Qendra të jetë në funksion. Drejtpërdrejt rrezikohet shëndeti dhe jeta e pacientëve në vend”, tha Filipçe.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE përmes deputetes Aleksandra Nikollovska tha se Qeveria po investon në infrastrukturën shëndetësore dhe në modernizimin e spitaleve.

“Vizioni ynë është të ndërtojmë një qendër klinike ultramoderne, e cila nuk do të jetë vetëm për Shkupin dhe qytetarët e Maqedonisë, por do të krijojë mundësi për të tërhequr pacientë edhe nga shtetet fqinje. Plani parashikon edhe një kalim nëntokësor të ngrohtë nën bulevardin Ilindenska, i cili do ta lidhë kompleksin e ri me spitalin ekzistues “8 Shtatori”. Në këtë kompleks do të përfshihet edhe PET-Qendra që po e zhvillojmë, si dhe Poliklinika Bukuresht. Kjo nënkupton krijimin e një kompleksi shëndetësor tërësisht të integruar, me infrastrukturë moderne dhe shërbime shëndetësore të ndërlidhura”, tha Nikollovska.

Nikllovska përmendi edhe projektet për spitalet klinike në Shtip dhe Tetovë, si dhe zgjerimin e shërbimeve në Kërçovë.