Një pacient në Britani është bërë rasti i parë në botë që i është nënshtruar një operacioni në tru me ndihmën e inteligjencës artificiale, ndërsa kirurgët arritën të heqin me sukses tumorin. 48-vjeçari Rhys Hibbert, baba i dy fëmijëve nga Bedfordshire, iu nënshtrua ndërhyrjes në University College London Hospital. Sipas kirurgëve, pacienti rrezikonte humbjen e shikimit në rast se nuk do i nënshtrohej ndërhyrjes. Gjatë operacionit, një mjet i inteligjencës artificiale analizoi në kohë reale pamjet video të operacionit dhe i orientoi kirurgët për të shmangur enët e gjakut dhe nervat e rëndësishëm, të cilët nuk ishin lehtësisht të dukshëm.  Kjo teknologji u dha mjekëve mundësinë të përcaktonin më me saktësi zonat e rrezikshme dhe të hiqnin në mënyrë të sigurt pjesën më të madhe të tumorit.

Nga perspektiva e sigurisë së pacientit, mund ta shoh absolutisht përfitimin. Nuk ka shenja rrugore brenda kokës sonë”, tha Hibbert.

Deri rreth 18 muaj më parë, 48-vjeçari, i cili punon si menaxher i shërbimit ndaj klientit, ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ai e përshkruan veten si aktiv dhe çdo ditë bënte një shëtitje prej rreth dy miljesh gjatë pushimit të drekës. Por gjatë njërës prej këtyre shëtitjeve, Hibbert humbi ndjenjat dhe pësoi një krizë. Ekzaminimet e mëvonshme zbuluan një tumor jo-kanceroz rreth 11 milimetra në gjëndrën e hipofizës, një strukturë në madhësinë e një kokrre qelqi, e vendosur në bazën e trurit.

Gjëndra e hipofizës luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e organizmit, pasi prodhon hormone që ndikojnë në procese jetësore, përfshirë rritjen, metabolizmin, presionin e gjakut dhe rregullimin e temperaturës së trupit.

Rasti shihet si një hap i rëndësishëm në përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë ndërhyrjeve komplekse neurokirurgjikale, duke hapur perspektiva të reja për rritjen e sigurisë dhe saktësisë së operacioneve në tru.