Gazetar: Zekirija Haxhiu

Këshilltarët shqiptarë që janë në opozitë në Komunën e Butelit reagojnë për mos pranimin e nxënësve shqiptarë në Shkollën Fillore “Penko” dhe mbylljen e një paralele në shqip. Pyesin pse nuk bëhet bashkimi i paraleleve ashtu siç ka paralajmëruar ministrja e arsimit pasi në bazë të kësaj, duhet të mbyllen 8 paralele maqedonase e jo ato shqipe.

“Nuk mund të ketë një standard të dyfisht, për një paralele shqipe dhe një standard tjetër për një paralele maqedonase. Për këtë arsye, kërkojmë nga institucionet kompetente që të shqyrtojnë me seriozitet situatën e krijuar, ankesat e prindërve, kriteret e regjistrimit dhe mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe”, deklaroi Armend Murseli, këshilltar i BDI-së në komunën e Butelit.

Reaguan edhe nga Lidhja Shqiptare. Këshilltarja Senka Nuhiu, paralajmëron se do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat institucionale për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amtare.

“​Zvogëlimi i paraleleve nuk i shërben as cilësisë së arsimit dhe as mirëqenies së banorëve. Përkundrazi, kjo është një padrejtësi e radhës ndaj së cilës nuk do të heshtim! Si përfaqësuese e juaj në Këshillin Komunal, deklaroj me vendosmëri: Kërkojmë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e paraleles në gjuhën shqipe!”, ka reaguar Lidhja Shqiptare.

Mbi 40 fëmijë shqiptarë të Çairit me banim në afërsi të shkollës Penko, nuk u pranuan të regjistrohen në këtë shkollë me të vetëm arsye se nuk i përkasin komunës së Butelit. Por ky rregull nuk vlente për fëmijët e komuniteteve tjera sikurse boshnjakë, turq dhe romë të cilët nga komunat tjera u regjistruan për të ndjekur mësimin në gjuhën maqedonase./Alsat.mk.

The post Diskriminimi në Penko / Reagojnë këshilltarët e komunës së Butelit appeared first on Alsat.