Alsat siguron numrin e nxënësve në maqedonisht në “Penko” (FOTO)

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Alsat siguron të dhënat e numrit të nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel. Nga klasa e parë deri në të nëntën aktualisht ka 16 paralele më mësim në gjuhën maqedonase, por të dhënat mund të ndryshojnë për shkak të regjistrimeve që janë ende në rrjedhë. Paralelet në maqedonisht kanë nga 4 deri në maksimumi 22 nxënës. Aktualisht dy paralelet e klasës së dytë kanë njëra 5 nxënës, ndërsa tjetra 11 nxënës, gjithsej 16. I njëjtë është numri edhe në dy paralelet e klasës së tretë. Të dyja numërojnë nga 8 nxënës. 16 nxënës ka edhe në dy paralelet në klasën e katërt në maqedonisht. Njëra ka 10, ndërsa tjetra 6 nxënës. Pak më pak nxënës ka në dy paralelet në klasën e pestë, edhe atë gjithsej 14, secila klasë nga 7 nxënës. Klasa e gjashtë përbëhet nga vetëm një paralele me 22 nxënës.  Ndërkohë klasa e shtatë ka dy paralele në maqedonisht. Njëra me 4 nxënës, tjetra me 9. Klasa 8 në “Penko” ka 24 nxënës, njëra 13 tjetra 11 nxënës. I ulët është numri i nxënësve që ndjekin mësimin në maqedonisht edhe në klasën e 9. Dy paralelet kanë gjithsej 14 nxënës. Ndryshe është pasqyra në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Klasat përbëhen me pothuajse trefish më të lartë krahasuar me ato maqedonase. Sipas informatave të Alsat aktualisht mësimin në gjuhën shqipe në “Penko” nga klasa e dytë deri në të nëntën e ndjekin mësimin 1167 nxënës, që do të thotë se secila klasë ka rreth 30 nxënës. Edhe përkundër numrit të ulët të nxënësve në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, shkolla nuk ka marrë vendimin për riorganizimin e tyre, përkatësisht lejon procesin mësimor në dy klasa me nga 4 e 7 nxënës.

I pyetur nga Alsat se përse mbyllet paralelja në shqip kur numri i nxënësve është i lartë, ndërsa lejohen paralele në maqedonisht me numër të ulët të nxënësve, kreu i komunës së Butelit Darko Kostovski, tha se nuk ka asnjë problem që paralelet në gjuhën maqedonase të shkrihen në një.

“Për klasën e dytë nuk jam i sigurt duhet ta kontrolloj ndërsa për klasën e shtatë nuk ka asnjë problem të bashkohet kjo paralele dhe mendoj se do të jetë më mirë sepse nëse ka paralele pak më shumë se dy fëmijë por pse do të mësonin katër ose pesë në një klasë? Le të jetë bilës 20 por jo mbi 20, atëherë do të ishte problem”, deklaroi Darko Kostovski, kryetar i Butelit.

Ndërkohë, drejtoresha e shkollës Petar Zdravkovski- Penko Mevlide Elezi Kryeziu, pas heshtjes disaditore vendosi të sqarohet përmes Facebook-ut. Njëherë përgënjeshtron mbylljen e paraleles në shqip, ndërsa pak rreshta më poshtë arsyeton mbylljen. Kryeziu thotë se vendimi nuk është personal por thjesht zbaton ligjin për arsim fillor dhe vendimin e Këshillit të Komunës së Butelit për rajonizim.

“Shkolla nuk ka marrë asnjë vendim për mbylljen e paraleles për shkak të gjuhës së mësimit apo përkatësisë etnike. Gjatë regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2026/2027 është zbatuar rajonizimi dhe legjislacioni në fuqi, në përputhje me nenin 63 të Ligjit për Arsimin Fillor dhe vendimin e Këshillit të Komunës së Butelit. Kriteri i vetëm i zbatuar ka qenë përkatësia e nxënësit ndaj rajonit të shkollës, në mënyrë të barabartë për të gjithë nxënësit, pa dallim të gjuhës së mësimit apo përkatësisë etnike”, ka shkruar drejtoresha Kryeziu.

Madje Kryeziu është kontradiktore në reagimin e saj. Në vend të problemeve në oborrin e vet, mban hallin e oborrit të fqinjit. Thotë se pranimi i nxënësve të Çairit përbën rrezik për zvogëlimin apo mbylljen e paraleleve në shkollat e Komunës së Çairit.

Alsat kërkoi sqarim nga Komuna e Çairit nëse me të vërtetë rrezikohet mbyllja e paraleleve të shkollave në këtë komunë shkaku se fëmijët do regjistroheshin në Penko, ashtu siç pretendon drejtoresha Mevlide Kryeziu megjithatë, deri në këto momente nuk morëm përgjigje./Alsat.mk.

The post Alsat siguron numrin e nxënësve në maqedonisht në “Penko” (FOTO) appeared first on Alsat.