Thirrjes së Federatës Shqiptare të Futbollit për mbështetjen e projektit për ndërtimin e dy fushave moderne të futbollit në Luginën e Preshevës i është përgjigjur familja Türker, e cila është donatori i parë që i bashkohet kësaj nisme me një kontribut financiar për realizimin e projektit.
Familja Türker, me rrënjë të hershme në këto troje, ka vendosur të kontribuojë konkretisht në projektin që synon ndërtimin e dy fushave të futbollit, një në Komunën e Preshevës dhe një në Komunën e Bujanocit, duke krijuar më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj zone.
Kontributi i familjes Türker do të jetë një mbështetje e drejtpërdrejtë për realizimin e këtij projekti, i cili synon t’u ofrojë të rinjve shqiptarë të Luginës së Preshevës ambiente moderne dhe të sigurta për të ushtruar sportin, për t’u zhvilluar dhe për të ndjekur ëndrrat e tyre përmes futbollit.
Në mesazhin e përcjellë për FSHF.org, familja Türker shpreh kënaqësinë dhe krenarinë për mundësinë për të dhënë këtë kontribut.
“Familja Türker, si një familje me rrënjë të hershme në këto troje, shpreh kënaqësinë dhe krenarinë e saj për mundësinë për të dhënë një kontribut konkret në zhvillimin e sportit dhe të rinjve në Bujanoc dhe Preshevë.”
Kontributi realizohet nën udhëheqjen e djemve të themeluesit të familjes, Sabredin Türker, Tamer dhe Faruk Türker, me mbështetjen e xhaxhait të tyre, Kadri Türker. Në kuadër të projektit, familjen Türker do ta përfaqësojë z. Tamer Türker.
“Ky projekt synon të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë në rajon dhe të mbështesë zhvillimin e sportit. Familja Türker beson se investimi tek të rinjtë është një investim në të ardhmen dhe synon, përmes këtij kontributi, të mbështesë krijimin e mundësive të reja për brezat e ardhshëm”, thuhet më tej në mesazhin e familjes.
Projekti i FSHF-së parashikon që Federata të financojë ndërtimin e bazamentit të dy fushave, shtrimin e tapetit artificial sipas standardeve të FIFA-s dhe vendosjen e portave, ndërsa Komunat e Preshevës dhe Bujanocit do të realizojnë ndërtimin e dhomave të zhveshjes dhe ambienteve të tjera mbështetëse.
Ftesa për donatorët mbetet e hapur – Pas kontributit të parë të familjes Türker, Federata Shqiptare e Futbollit vijon ftesën drejtuar bizneseve, kompanive dhe donatorëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Mbështetja e tyre do të kontribuojë drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të mira sportive për qindra fëmijë dhe të rinj në Preshevë dhe Bujanoc dhe do të ndihmojë në realizimin e një projekti me rëndësi të veçantë sociale.
Të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë Federatën Shqiptare të Futbollit në adresën: info@fshf.org.al.
Projekti për dy fushat në Luginën e Preshevës është një investim në sport, në komunitet dhe mbi të gjitha, në të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve.
The post Del donatori i parë që i bashkohet projektit të FSHF për krijimin e dy fushave në Luginën e Preshevës appeared first on Telesport.
