Gazetare: Melihate Rustemi

Viti i ri shkollor 2026-2027 do të nis nesër, më 1 shtator. Në bankat shkollore do të ulen rreth 238 mijë nxënës, prej të cilëve 174 mijë në arsimin fillor dhe 64 mijë në arsimin e mesëm. Në klasë të parë mësimin do ta nisin 14.952 nxënës. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se këtë vit është optimizuar rrjeti shkollor, ndërsa numri i paraleleve është ulur për 433. Prej tyre, 222 janë në arsimin fillor dhe 211 në atë të mesëm.

“Një proces për të cilin jemi angazhuar gjatë muajve të fundit është optimizimi i paraleleve në shkollat ekzistuese, që nënkupton bashkimin e paraleleve më të vogla me njëra tjetrën ose bashkimin e tyre me paralele më të mëdha, në interes të nxënësve, që të jenë në shoqëri më të madhe, të mund të socializohen më mirë dhe të garojnë me njëri tjetrin. Tani i kemi bashkuar dhe për këtë arsye në sistemin arsimor këtë vit do të kemi 433 paralele më pak, 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm. Bëhet fjalë për një ndryshim pozitiv në interes të nxënësve. Në të njëjtën kohë asnjë mësues i punësuar me kontratë të rregullt nuk është larguar nga puna”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit

Janevska tha se nga shtatori do të mbyllen përkohësisht edhe 26 shkolla rajonale, pasi nuk kanë të regjistruar nxënës. Në përgjithësi, në vend janë 148 objekte shkollore bosh, kryesisht në zonat rurale. Ndërkohë, nga gjithsej 1.023 objekte shkollore në 620 do të zhvillohet mësimi në një ndërrim. Sipas Janevskës, për vitin e ri shkollor janë siguruar 622 mijë tekste shkollore.

“Tekstet janë shpërndarë dhe që nesër mund t’u ndahen nxënësve. Jam e kënaqur që çështja e teksteve shkollore nuk është më sfidë si në të kaluarën. Këtë vit janë siguruar 622 mijë tekste shkollore dhe janë realizuar kursime prej 50 milionë denarësh krahasuar me vitin para se të merrja drejtimin e këtij institucioni. Tekste shkollore krejtësisht të reja dhe në tirazh të plotë janë siguruar për klasën e parë, të dytë dhe të tretë, si dhe për klasën e tetë dhe për vitin e dytë të arsimit gjimnaz ku do të mësohet sipas programeve të reja mësimore”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, Ministria ka siguruar 1.358 asistentë arsimorë në arsimin fillor dhe 166 në arsimin e mesëm. Për nxënësit që janë në trajtim më të gjatë spitalor ose në shtëpi, vazhdon mundësia që të ndjekin mësimin online. Sipas Janevskës, punonjësit në shkolla në mars të vitit 2027 pritet të marrin rritje të pagave nga 7,5 deri në 10 për qind, në varësi të inflacionit. /Alsat.mk

The post Nesër nis viti i ri shkollor, 433 paralele më pak appeared first on Alsat.