Në Itali po afrohet fundi i Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, aty ku Shqipëria ka garuar sot në disa disiplina, pa mundur dot të ngjitet në podium. Edhe pse sportistët kuqeiznj iu afruan shumë zonës së medaljes, ajo mbeti një tabu në sfidat e deritanishme të 2 shtatorit.
Në gjimnastikë, Matvei Petrov u klasifikua në vendin e 6-të në disiplinën e kalit me dloreza. Edhe pse ishte pretendent për medalje, pas vendit të dytë në fazën eliminatore, në finale gjimnasti kuqezi nuk ia doli mbanë, për shkak të një gabimi në mes të interpretimit (u rrëzua). Petrov grumbulloi 12.750 pikë në këtë konkurrim.
Në karate, sportisti Melos Gashi iu afrua shumë medaljes, duke u kualifikuar deri në gjysmëfinale. Në peshën -84kg, disiplina kumite, Gashi fitoi 5-1 ndaj turkut Hasan Arslan në sfidën e parë. Më pas, ai mundi 2-1 boshnjakun Hamza Turulja, duke shkuar në gjysmëfinale, ku u mund 4-0 nga marokeni Mehdi Sriti.
Gjithsesi, Gashi dueloi për medaljen e bronztë me algjerianin Felleh Midoune, ku pas barazimit 2-2 u mund me “senshu”, pa mundur dot të ngjitet në podium. Po në këtë sport, në peshën +84kg, Blodin Pakashtica, mundi 1-0 francezin Hendrick Confic në sfidën e parë, ndërsa në cerekfinale triumfoi 5-2 ndaj libanezit Nuri Abdusalam.
Në gjysmëfinale, Pakashtica u mund 8-0 nga kroati Andelo Kvesic, por më pas dueloi për medaljen e bronzit me algjerianin Hocine Daihi, ku u mund 5-2. Pra, të dy sportistët kuqezinj u ndalën një hap larg zonës së medaljes, duke bërë paraqitje të mira në këto Mesdhetare.
The post Lojërat Mesdhetare/ Petrov gabon në finale, Gashi e Pakashtica nuk kapin dot podiumin appeared first on Telesport.
