Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka minimizuar përmasat e përplasjes me Iranin, duke deklaruar se ajo që po ndodh aktualisht nuk mund të cilësohet si luftë.
“Me Iranin nuk është një luftë, pasi përplasjet e vërteta me armë zjarri kanë përfunduar një muaj më parë”, deklaroi Vance gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij, sulmet e ndërsjella të ditëve të fundit janë më tepër “përplasje me intensitet të ulët” dhe nuk përbëjnë një konflikt të mirëfilltë.
Vance nuk dha një afat për përfundimin e armiqësive, duke thënë se gjithçka do të varet nga veprimet e Teheranit.
CNN raporton se qëndrimi i administratës Trump mund të synojë të kufizojë perceptimin mbi përmasat e konfliktit, veçanërisht në një kohë kur përfshirja ushtarake amerikane nuk gëzon mbështetje të gjerë në opinionin publik dhe kur afrohen zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.
Sipas të dhënave të Pentagonit të cituara nga CNN, bilanci amerikan deri tani është 18 të vdekur dhe 790 të plagosur.
Vance foli gjithashtu për sulmin e raportuar gjatë një dasme në Iran, ku sipas mediave shtetërore iraniane humbën jetën pesë persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
“Po hetojmë në mënyrë shumë të thelluar”, tha zëvendëspresidenti amerikan, duke theksuar se forcat amerikane nuk synojnë civilët.
Megjithatë, ai shtoi se incidente të tilla janë “gjëra që ndodhin”, duke nënvizuar se ushtria amerikane duhet të mësojë nga gabimet e saj.
“Kur forcat tona të armatosura bëjnë gabime, mësojnë prej tyre për t’u përmirësuar”, deklaroi Vance.
