Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të Pavarësisë, mori pjesë në një panel-diskutim kushtuar ngjarjeve që çuan drejt pavarësimit të vendit.

Në panel morën pjesë edhe pjesëmarrës e dëshmitarë të drejtpërdrejtë të referendumit dhe ngjarjeve politike të viteve ’90.
Siljanovska-Davkova tha se organizimi i zgjedhjeve, miratimi i Kushtetutës dhe krijimi i institucioneve ishin hapa të rëndësishëm shtetformues.

Megjithatë, sipas saj, ndërtimi i shtetit është një proces i gjatë që kërkon institucione stabile, funksionale dhe një demokraci efikase.
Ajo vlerësoi rolin e përbërjes së parë parlamentare, qeverisë eksperte dhe politikanëve të asaj kohe, të cilët, sipas saj, mundësuan pavarësimin në mënyrë paqësore.

Presidentja theksoi se pjesëmarrja e lartë në referendum dhe mbështetja e madhe i dhanë pavarësimit legjitimitet demokratik.
Gjatë diskutimit u trajtuan edhe çështjet juridike, politike dhe etnike të referendumit, si dhe qëndrimet e partive shqiptare.
Naser Ziberi rikujtoi vërejtjet e përfaqësuesve shqiptarë gjatë miratimit të Kushtetutës dhe bëri thirrje për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje.

Folësit ngritën gjithashtu çështje lidhur me marrëdhëniet ndëretnike, procesin e vendimmarrjes dhe sfidat që e kanë shoqëruar vendin gjatë 35 viteve të pavarësisë.

Mesazhi i përbashkët ishte se vendit i nevojiten më shumë bashkim dhe konsensus politik për çështjet e rëndësishme që lidhen me të ardhmen dhe prosperitetin e të rinjve.