Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ngritur “shqetësime serioze” për planin e qeverisë britanike për t’u kërkuar platformave si YouTube dhe rrjeteve të tjera sociale që t’u japin më shumë dukshmëri mediave tradicionale, përfshirë BBC dhe ITV.

Ambasada e SHBA-së në Londër ka paralajmëruar se një politikë e tillë mund të krijojë rrezikun e “censurës” dhe t’u japë qeverive mundësinë të ndikojnë në mënyrën se cilat burime mediatike shfaqen më shumë në algoritmet e platformave online.

Sipas administratës amerikane, propozimet britanike mund të krijojnë një precedent që më vonë mund të përdoret edhe nga regjime autoritare për të justifikuar kontroll më të madh mbi përmbajtjen në internet.

Washingtoni ka shprehur gjithashtu shqetësimin se një sistem i tillë mund të dëmtojë gazetarët dhe krijuesit e pavarur, veçanërisht ata që nuk janë pjesë e mediave tradicionale.

“Ruajtja e një interneti të lirë dhe të hapur dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes në internet janë përparësi kryesore për administratën Trump”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Sipas saj, një kuadër që u jep qeverive mundësinë të ndikojnë se cilat burime marrin më shumë dukshmëri mund të shndërrohet në një mekanizëm për censurë të bazuar në pikëpamje.

Qeveria amerikane ka kërkuar gjithashtu garanci se paragjykimet apo preferencat e zyrtarëve britanikë dhe organizatave të tjera nuk do të ndikojnë në mënyrën se si zbatohet politika, duke dëmtuar gazetarinë e pavarur apo zërat e pakicave.

Qeveria britanike, ndërkohë, ka mbrojtur konsultimin e saj për të ardhmen e medias. Një zëdhënës i Departamentit për Kulturë, Media dhe Sport deklaroi se Londra beson fuqimisht në lirinë e shprehjes dhe konkurrencën e ndershme.

Sipas planit britanik, platformat online mund të detyrohen të marrin masa për t’i dhënë përparësi përmbajtjeve të konsideruara të besueshme, në një kohë kur përdoruesit po i drejtohen gjithnjë e më shumë platformave si YouTube, TikTok dhe X për informacion.

Mbështetësit e kësaj politike argumentojnë se ajo mund të ndihmojë në luftën kundër dezinformimit dhe në ruajtjen e përmbajtjes kulturore britanike.

Qeveria synon gjithashtu të mbështesë transmetuesit e shërbimit publik, të cilët po përballen me vështirësi ekonomike për shkak të rritjes së platformave dixhitale./tch.

The post Administrata e Trump kundërshton planin britanik për promovimin e mediave tradicionale online appeared first on Alsat.