Krimineli serb Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, u varros në Beograd me nderime shtetërore dhe ushtarake. Ceremonia u shoqërua me të shtëna nderi dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës. Arkivoli i Mlladiqit u ekspozua gjatë ditës në Kishën e Shën Lukës në Beograd, ku ceremoninë mortore e udhëhoqi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. Porfirije tha se emri i tij “do të mbetet thellë i ngulitur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.

Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje. Gjatë ceremonisë, ku pjesëtarë të gardës së nderit të Ushtrisë së Serbisë qëndronin në rojë, u bënë lutje që “gjeneralit Ratko t’i faleshin mëkatet e bëra me dashje dhe pa dashje”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se nderimi dhe madhërimi i personave të dënuar për krime lufte, është i papranueshëm.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self në një deklaratë të përbashkët, rikujtuan përgjegjësinë e tij për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dy kongresistë amerikanë, Greg Murphy dhe Marc Veasey, vizituan Potoçarin të hënën, për t’u bërë homazhe viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe për të riafirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ruajtjen e së vërtetës dhe promovimin e përgjegjësisë.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë tha se madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe se për to nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.

Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi se pothuajse i gjithë personeli diplomatik i Ambasadës së Bosnjës në Serbi do të tërhiqet, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq./Alsat.mk.

The post U varros krimineli serb Ratko Mlladiq appeared first on Alsat.