Me përfshirjen e parlamenteve, procesi është më kredibil, gjithëpërfshirës dhe transparent, ndërsa ato sigurojnë që angazhimet e ndërmarra në Bruksel të shndërrohen në reforma të vërteta në vend. Këtë e theksoi në fjalimin e tij zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili theksoi se roli i Kuvendit është veçanërisht i rëndësishëm në miratimin e agjendës së reformave.

“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian do të jetë më e fuqishme kur të mbështetet nga parlamente të fuqishme, institucione të përgjegjshme dhe qytetarë të mirëinformuar. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku me qëllim që procesin e zgjerimit ta bëjmë më demokratik, më transparent dhe të sigurohemi që çdo reformë ta afrojë shoqërinë tonë më pranë vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian”, theksoi Bekim Sali, zëvendëskryeministër dhe ministër për Çështje Evropiane.

Sipas Jan Axel Foss, ushtrues detyre ambasador i Gjermanisë, vend që së bashku me Francën filluan të bëjnë presion për një proces më dinamik të zgjerimit të Bashkimit Evropian, parlamentet luajnë rol të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë evropian.

“Parlamentet janë ato që harmonizojnë legjislacionin kombëtar me legjislacionin evropian. Ato janë forum për debat publik, janë forum për ndërtimin e konsensusit, i cili jo gjithmonë është i mundur, por i njëjti ndihmon shumë në ndërtimin e besimit te publiku, e mbështesin procesin përmes debateve parlamentare, e mbështesin procesin e reformave që Bashkimi Evropian kërkon nga ju”, deklaroi jan Axel Foss, u.d. ambasador i Gjermanisë.

Antonio Milloshoski tha se në shoqërinë tonë është arritur një konsensus i gjerë kombëtar për integrimet evropiane. Ai tha gjithashtu se harmonizimi i legjislacionit kombëtar me atë evropian po zhvillohet mirë, por theksoi se problem paraqet zbatimi i tij.

“Nuk është e thjeshtë të transpozohet legjislacioni evropian në legjislacionin kombëtar dhe hap pas hapi po arrijmë ta kryejmë këtë detyrë. Do të thosha se detyrë më e vështirë është zbatimi i legjislacionit të miratuar në jetën reale, në institucione, por edhe më e vështirë është të ndikohet ose të arrihet konsensus mes vendeve anëtare të Unionit nëse zgjerimi i Unionit është apo nuk është prioritet”, tha Antonio Milloshoski, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane.

Konferenca vazhdon edhe nesër me sesionin e dytë me temë „Nga dokumentet për politikat publike deri te realiteti, skenarë të mundshëm për rrjedhën e re të procesit të zgjerimit“, i cili do të japë një pasqyrë të politikave dhe zhvillimeve aktuale në nivel të Bashkimit Evropian lidhur me risitë e mundshme në metodologjinë e anëtarësimit në BE.