Mickoski e mban pranë, Fatmir Limani i dërgon porosi VLEN-it

Ish-ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, është shfaqur në Qeveri përkrah kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë, shkruan gazeta KOHA.

Në fotografinë e publikuar në rrjetet sociale, Limani ka shkruar shkurt: “Kemi punuar, punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë…”.

Paraqitja e tij vjen pasi Limani ndërpreu kontaktet me drejtuesit e VLEN-it, pjesë e së cilës ishte deri pak para shkarkimit nga detyra. Për momentin, nuk dihet nëse ai vazhdon të jetë i angazhuar në kabinetin e Mickoskit në cilësinë e këshilltarit apo në ndonjë funksion tjetër.

Megjithatë, dalja e tij publike përkrah kryeministrit lë të kuptohet se raportet mes tyre vazhdojnë të jenë të afërta. Mesazhi “do të vazhdojmë të punojmë”, i shoqëruar me një buzëqeshje domethënëse, mund të interpretohet edhe si një porosi politike drejtuar ish-partnerëve të tij në VLEN.

Një gjë duket e qartë: Mickoski vazhdon ta mbajë Limanin pranë vetes.

Ndryshe, pak para rikonstruimit të Qeverisë dhe para largimit nga VLEN-i, Fatmir Limani ishte parë në disa raste bashkë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Takimet me Ahmetin e kishin revoltuar VLEN-in, të cilët kërkonin shkarkimin e Limanit nga detyra e ministrit si kuadër i VLEN-it. (koha.mk)