Mbi 85.5 milionë euro do të investohen për rikonstruksionin dhe rritjen e efikasitetit energjetik të nëntë konvikteve studentore, një konvikti për nxënës të shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave me qendra burimore për nxënës me nevoja të veçanta.

“Ky program, BE në bashkëpunim me Bankën Investuese Gjermane dhe Ministrinë e Arsimit të RMV-së po e mbështet shtetin për rikonstruksionin e konvikteve studentore, për të ofruar kushte më të mira jetese për studentët dhe për të përmirësuar efikasitetin energjetik të ndërtesës”, tha Stefano Erelo – udhëheqës i Sektorit për Bashkëpunim – delegacioni i BE-së në RMV.

Projekti synon të përmirësojë kushtet e jetesës dhe mësimit për mbi 5 mijë nxënës dhe studentë dhe do të realizohet në tri faza. Faza e parë përfshin konviktet “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski-Pitu” në Shkup. Rikonstruksioni i “Stiv Naumovit” është drejt përfundimit, ndërsa “Kuzman Josifovski-Pitu” pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Punimet do të përfshijnë jo vetëm sistemet e ngrohjes, por edhe instalimet sanitare e elektrike, masat e sigurisë dhe hapësirat e përbashkëta. Në katër konvikte do të zbatohen standarde edhe më të larta të efikasitetit energjetik.

“Ky projekt është investimi më i madh që ndodh në shtetin tonë në dekadat e fundit për akomodimin studentor. Qëllimi ynë thelbësor është që këto objekte në të ardhmen në thelb të funksionojnë më ndryshe, sepse faturat përgjysmohen, vendosen burime të rinovueshme të energjisë, ku vetë konviktet prodhojnë energji elektrike dhe normalisht ulet emetimet e dyoksidit të karbonit dhe gazrave”, u shpreh Damjan Stojkovski nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, njësia për zbatimin e projektit.

Nga 85.5 milionë eurot e buxhetit, 60 milionë janë siguruar përmes kredive nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW, 21 milionë euro janë grante nga Bashkimi Evropian, ndërsa 3.85 milionë euro sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“BE siguron mjete për investime dhe mbështetje teknike dhe të kombinuara me huamarrje nga bankat. Bankat janë, Banka Investuese Gjermane ose Banka Evropiane për rindërtim. Pra, duke kombinuar grantet me huamarrjet, financimi i investimeve bëhet më tërheqës për Qeverinë. Qeveria ka për qëllim reduktimin e konsumit të energjisë në infrastrukturën publike, në ndërtesa ose sistemi industriale për 50%. Me ato kursime mund të paguajnë huamarrjen”, potencoi Oliver Junger – menaxher i Portofolit – Banka Zhvillimore KFW-Frankfurt.

Projekti pritet të përfundojë deri në dhjetor të vitit 2031, ndërsa me sigurimin e mjeteve shtesë, vlera e përgjithshme e investimit mund të kalojë 100 milionë euro.