Kështu dukej stadiumi “Vëllazërimit” në Kërçovë para vitit 2024.

Por në vitin 2024 u hoq tribuna e këtij stadiumi për t’u vendosur një e re dhe moderne me investim të FFM-së.

Pas heqjes së tribunës u formua një moçal që është mbushur me ujë dhe kundërmon erë e keqe.

Kjo situatë është prej 2 vitesh dhe ende nuk është vendosur tribuna e re.

Për këtë pyetëm kryetarin e Komunës Aleksandar Jovanovski i cili tha se pret përgjigje nga FFM-ja, në të kundërtën u zotua se do ta rregulloj me mjete të Komunës.

“Për fat të keq kanë arritur informacione se nuk do ta vazhdojnë projektin, megjithatë unë dua ta kem atë në formë të shkruar dhe më pas të shohim ne si Komunë a do të mundet me mjetet tona sepse është në interes të të gjithë qytetarëve tanë dhe fëmijëve tanë të ndërtojmë të paktën një tribunë të montuar e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve tanë dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht”, deklaroi Aleksandar Jovanovski – kryetar i Komunës së Kërçovës.

Situata ka ngjallur reagime edhe tek banorët e Kërçovës dhe lagjes ne të cilën ndodhet stadiumi. Nga Klubi i Futbollit “Vëllazërimi” janë të indinjuar sepse kjo përbën rrezik për lojtarët dhe fëmijët që e shfrytëzojnë stadiumin për të ushtruar.

“Me plot vetëdije dhe përgjegjësi, ne qëndrojmë prapa çdo iniciative që ndërmerret për t’u rindërtuar tribuna dhe për t’i kthyer stadiumit atë pjesë që për të gjithë ne ka një vlerë të veçantë. Asgjë më pak dhe asgjë më shumë – edhe ne kërkojmë me plot përgjegjësi që ajo të sanohet dhe të ndërtohet përsëri, sepse tribuna na ngjall shumë kujtime dhe momente të bukura. Kryesia e KF “Vëllazërimit” prej vitesh mundohet me çdo kusht të sigurojë kushte dhe mjete financiare për ta mbajtur gjallë klubin, duke siguruar pagesa simbolike për lojtarët, trajnerët dhe ekonomin e stadiumit”, thonë nga KF “Vëllazërimi” – Kërçovë.

Kujtojmë se kontrata për projektin e tribunës në stadiumin është bërë 20.08.2024 si investim i Federatës së Futbollit të Maqedonisë ndërsa kompani kontraktuese për realizimin e punimeve ishte zgjedhur “Energoinvest Trejd” nga Shkupi.