Një burrë është hedhur mëngjesin e sotëm në ujërat e lumit Vardar në Shkup, në pjesën pranë lagjes Ostrovo.

Sipas dëshmitarëve okularë, në vendngjarje kanë mbërritur pjesëtarë të policisë, të cilët kanë ndërhyrë për ta nxjerrë personin nga lumi. Më pas, ai është transportuar me ambulancë në spital për t’iu ofruar ndihmë mjekësore.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se rasti është denoncuar sot, më 14 shtator 2026, rreth orës 08:00.

“Sot, rreth orës 08:00, në SPB Shkup është raportuar se një person i gjinisë mashkullore është hedhur në ujërat e lumit Vardar, në territorin e Gazi Babës. Në vendngjarje kanë dalë nëpunës policorë, ndërsa personi është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në spital për trajtim mjekësor”, kanë njoftuar nga MPB-ja.

Autoritetet po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit.