Ish-deputeti Ruzhdi Matoshi ka reaguar me tone të ashpra ndaj drejtimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe rolit të përfaqësuesve shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Në reagimin e tij, Matoshi u është drejtuar Izet Mexhitit, Bilall Kasamit dhe Fatmir Limanit, duke i pyetur se si ndihen kur, sipas tij, ministri i Drejtësisë “flet si një ministër i Serbisë”.

“Si ndihen Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Fatmir Limani kur ministri i Drejtësisë flet si një ministër i Serbisë?”, shkruan Matoshi.

Ai thekson se marrja e një funksioni ministror bart përgjegjësi të madhe, ndërsa mbrojtja e interesave të popullit kërkon vendosmëri dhe guxim politik.

“Kjo është një përgjegjësi e madhe kur bëhesh ministër, por politika është një sport i rëndë. Edhe më e rëndë është të jesh patriot dhe t’i mbrosh interesat e popullit tënd”, shprehet ish-deputeti.

Matoshi pretendon gjithashtu se ministri i Drejtësisë e ka angazhuar Karakamishevën, ndërsa emërimin e saj në funksione e ka realizuar kryeministri Hristijan Mickoski.

Sipas tij, përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri nuk kanë kundërshtuar, por janë mjaftuar vetëm me miratim.

“Përfaqësuesit tanë në Qeveri vetëm kanë thënë: ‘Eferim aga!’”, përfundon reagimin Ruzhdi Matoshi.