Bashkimi Evropian mbështet Drejtorinë e Doganave me 4 milionë euro, për modernizimin e terminalit doganor në pikën kufitare të Tabanocit, me qëllim luftën kundër krimit të organizuar dhe tregtisë së paligjshme. Drejtori i drejtorisë së Doganave Boban Nikolloski, njoftoi se janë siguruar 26 automjete të specializuara për sektorin e kontrollit dhe hetimeve.

“Është siguruar pajisje moderne dhe e specializuar për kontrollin doganor dhe hetimet, pajisje për zbulimin dhe identifikimin e tregtisë së paligjshme, pajisje forenzike, si dhe infrastrukturë moderne informatike”, tha Boban Nikolloski – drejtor i Drejtorisë së Doganave.

Kryeminstri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria ka për qëllim t’i pengojë ata të cilët kanë vendosur të jenë aleatë të krimit, duke theksuar se do të kapen dhe vendosen para drejtësisë.

“Pra, ju urojmë fat të mbarë duke përdorur pajisjet e reja, donacionin nga Bashkimi Evropian, dhe le të provojmë të gjithë së bashku se profesioni i të qenit kriminel është i padobishëm”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas tha se qëllimi i kësaj mbështetje është që të ketë kufi më të sigurtë, kushte më të mira për qyetatrët.

“Unë mendoj që Tabanoci është vendi i duhur për ta bërë atë. Ky terminal doganor është realizuar me mbështetjen e BE-së dhe është në përdorim që nga viti 2018. Sot shohim një shembull tjetër shumë konkret të rezultateve të partneritetit tonë: pajisje moderne, sisteme më të mira dhe kapacitete më të fuqishme për personelin që punon çdo ditë në kufi”, potencoi Michalis Rokas – Ambasador i BE-së.

Për Ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, investimi për Doganën ka rëndësi të shumëfishtë, por edhe për shtetin në mbrojtjen e interesave financiare në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndërkufitar dhe në krijimin e kushteve për tregti më të shpejtë dhe më të thjeshtë.

“Integrimi evropian për ne nuk është vetëm një proces i miratimit të rregulloreve, do të thotë praktikisht futja e standardeve evropiane në institucione, krijimi i shërbimeve më të mira për qytetarët dhe kompanitë”, theksoi Gordana Dimitrieska Koçoska – ministre e Financave.

Projektet e financuara nga BE-ja dhe të zbatuara në të mirë të Drejtorisë së Doganave arrijnë në vlerën prej 25 milionë eurosh. Lista e projekteve, e cila përfshin edhe terminalin doganor në pikën kufitare Tabanoc, është pjesë e kërkesave për anëtarësim dhe për përafrim me Bashkimin Doganor të BE-së si një zonë e vetme tregtare. Kjo mbështetje e ndihmon administratën doganore të përgatitet plotësisht pasi kufijtë e vendit të bëhen kufij të BE-së.