Ali Ahmeti pas vendimit në Hagë: I padrejtë dhe zhgënjyes, beteja vazhdon në apel
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Në reagimin e publikuar në Facebook, Ahmeti bëri thirrje për maturi dhe unitet, duke kërkuar që qytetarët të mos bien në provokime që mund të shkaktojnë tensione ose përçarje.
“Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”, shkroi Ahmeti.
Kreu i BDI-së theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e vendit. Ai kujtoi se pretendimet e mëparshme për trafikim organesh nuk u përfshinë si akuza në këtë proces.
Ahmeti nënvizoi gjithashtu se të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa gjykata, sipas tij, konstatoi se objektivi i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës.
“Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, procesi gjyqësor nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë. Ai shprehu besimin se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e aktgjykimit.
“Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”, shkroi Ahmeti.
Në fund të reagimit, kreu i BDI-së përcolli mesazhin: “Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”

