Gazetar: Miki Trajkovski
Mungesa e numrit të plotë të panelit të Gjykatës Kushtetuese, vazhdon të jetë arsyeja pse ende nuk është mbajtur seanca përgatitore për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve e cila është aktive që nga viti 2019. Kryetari i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, është i vetëdijshëm për implikimet serioze që mund të shkaktojë vendimi i tyre. Ai nuk dha afat kohor se kur kjo pikë do të vihet në rendin e ditës, ndërsa shprehet se vendimi kurdo që të merret do të jetë i argumentuar.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka asgjë për të fshehur, Gjykata Kushtetuese që është e bindur për argumentet e saj nuk ka asgjë për t’u frikësuar, dhe për këtë arsye të bindë qytetarët, jo politikanët, sepse qëllimi ynë nuk është të bindim politikanët, por të bindim qytetarët se vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese bazohen vetëm në argumente kushtetuese dhe ligjore, pa përkatësi politike, etnike, fetare apo të ndonjë përkatësie tjetër. Ky është qëllimi ynë”. – tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Kushtetuesja paraprakisht ka miratuar konkluzë me të cilën obligohet që për lëndën e Ligjit të Gjuhëve të miratojë vendim vetëm në rrethana kur përbërja e Gjykatës Kushtetuese është e plotë, respektivisht 9 gjyqtarë. Aktualisht gjykata punon me 8 gjyqtarë pasi dha dorëheqje gjyqtari Goce Naumovski. Procedura për zgjedhjen e gjyqtarit të ri ka mbetur në Komisionin Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, i cili duhet të propozojë një emër i cili më pas duhet të votohet në seancë plenare. Megjithatë, procedura e miratimit të vendimit në Kushtetuese mund të zvarritet edhe më tej nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk vendoset, meqë gjyqtarët Darko Kostadinovski dhe Osman Kadriu përfundojnë mandatin, kështu që gjykata sërish do të punojë me numër gjyqtarësh më të vogël.
Për shkak ndjeshmërisë së çështjes, Kushtetuesja vendosi që përpara se të merret vendimi final nëse do të preken ose jo nene të caktuara të Ligjit të Gjuhëve, ashtu siç kërkohet me 13 iniciativa, të mbahet një seancë përgatitore e cila disa herë u shty. Në seancën përgatitore publike duhet të marrin pjesë ekspertë vendor, përfaqësues të iniciativave, por edhe përfaqësues të Komisionit të Venecias për të përballur argumentet rreth ligjshmërisë./Alsat.mk
The post Ligji për Gjuhët në ngërç: Gjykatës Kushtetuese i mungon kuorumi, seanca përgatitore ende pa datë appeared first on Alsat.
