Gjykata Supreme publikoi vendimin, përkatësisht arsyetimin se pse i ka pranuar kërkesat e të dënuarve për aksidentin në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 pasagjerë në autobusin e kompanisë “Durmo Turs”, dhe pse e ka shfuqizuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas gjykatës më të lartë, Apeli nuk është përgjigjur ndaj të gjitha pretendimeve kryesore të ankesave dhe nuk ka dhënë arsyetim konkret se si veprimet e të dënuarve lidhen me aksidentin dhe mbi cilat prova është përcaktuar përgjegjësia e tyre penale, edhe pse Apeli pothuajse i dyfishoi dënimet me burgim.

Ekspertizat kanë treguar mangësi nga ana e shoferit dhe parregullsi teknike të autobusit, por gjykata nuk ka shpjeguar në çfarë mase defekti teknik ka ndikuar në aksident, e as se si veprimet e të dënuarve të tjerë, mes tyre edhe pronari i “Durmo Turs”, Durmish Belluli, i dënuar me 10 vjet burg, kanë kontribuar në shkaktimin e tij.

“Ky përfundim i gjykatës rrjedh nga ekspertizat e kryera dhe super-ekspertiza, në të cilat si shkak i aksidentit rrugor është evidentuar lëshimi i të dënuarit M.T. (Manoil Trifunovski, shoferi i autobusit, i dënuar me 14 vjet burg), duke evidentuar gjithashtu gjendjen jo të rregullt teknike të autobusit, pa u përcaktuar në çfarë mase ka ndikuar kjo parregullsi dhe si është reflektuar ajo në shkaktimin e aksidentit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Sipas gjykatës, kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi nga ekspertizat rezulton se nuk ka pasur gjurmë frenimi, i cili do të ishte i pashmangshëm në çdo situatë frenimi, pavarësisht kapacitetit, përkatësisht efikasitetit të sistemit të frenimit.

Gjykata Supreme vlerëson gjithashtu se Apeli nuk ka dhënë arsyetim konkret për lidhjen mes veprimeve të të dënuarve të tjerë dhe ndodhjes së aksidentit.

Nga ekspertizat e kryera qartë rezulton se situata e trafikut ka filluar me drejtimin e autobusit në të majtë, pas së cilës autobusi ka dalë nga korsia e mesme e qarkullimit. Sipas distancës dhe kohës, shoferi nuk ka pasur mundësi teknike që me frenim ta shmangte përplasjen me barrierën e parë metalike elastike, thuhet në arsyetim.

Sipas Gjykatës Supreme, nuk janë shqyrtuar mjaftueshëm as pretendimet lidhur me mënyrën e zhvillimit të procedurës, siç është kërkesa e shoferit për super-ekspertizë lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Gjykata Supreme vlerëson se Apeli është dashur të përcaktojë nëse një super-ekspertizë e tillë ishte e nevojshme, veçanërisht nëse kishte ekspertiza kundërthënëse.

Aktgjykimi i shkallës së parë kishte kryesisht qasje përshkruese, ndërsa Apeli nuk i kishte eliminuar këto mangësi.

Sipas Gjykatës Supreme, Gjykata Themelore kryesisht kishte paraqitur pjesë nga provat, pa i arsyetuar mjaftueshëm përfundimet e saj. Apeli, në vend që t’i adresonte këto mangësi, kishte dhënë vetëm përgjigje të përgjithshme për çështjet thelbësore lidhur me përgjegjësinë penale.

“Gjykata e shkallës së dytë nuk i ka vlerësuar mjaftueshëm as pretendimet që kanë të bëjnë me mënyrën e zhvillimit të procedurës penale, siç është pretendimi i të dënuarit M.T. për mosrealizimin e super-ekspertizës për gjendjen e tij shëndetësore, si dhe pretendime të tjera të paraqitura në ankesat e të dënuarve. Gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve ankimore, është dashur të përcaktohej nevoja për realizimin e super-ekspertizës, duke vlerësuar nëse bëhej fjalë për ekspertiza kundërthënëse të paraqitura nga palët kundërshtare, e cila do të ishte e pavarur dhe do të jepte përgjigje për çështjen konkrete që ishte objekt i ekspertizës, në mënyrë që gjykata, mbi bazën e ekspertizave të tilla, të mund t’i përcaktonte drejt të gjitha faktet me rëndësi”, thuhet më tej në arsyetim.

Gjykata Supreme përsërit se aktgjykimi i shkallës së parë kishte kryesisht qasje përshkruese, ndërsa Apeli nuk i kishte korrigjuar këto mangësi.

Ndërkohë, nga Gjykata e Apelit kanë bërë të ditur shkurt se lënda për Llaskarcën është dorëzuar në Apel dhe i është caktuar një gjyqtar, por një gjyqtar tjetër, pasi gjyqtari Zoran Dimitrievski, i cili më herët ishte gjyqtar raportues në këtë lëndë, është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Supreme. Belluli, i cili fillimisht ishte dënuar me katër vjet burg, ndërsa më pas dënimi i ishte rritur në 10 vjet, ende ndodhet në burgun e Idrizovës. Ndërsa shefi i parkut të automjeteve, Remzi Miftari, vazhdon të jetë në arrati.